21 vite nga masakra e Reçakut, Cakaj: Ende kërkohet drejtësi

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, përmes një statusi në Facebook ka reaguar në përkujtim të 21-vjetorit të masakrës së Reçakut.

“Njëzetë e një vite më parë, forcat serbe vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë, pleq, gra e burra e të mitur. Kjo ngjarje jo vetëm tronditi fort ndërgjegjen e gjithë botës demokratike, por edhe përshpejtoi ndërhyrjen politike e ushtarake të NATO-s në Kosovë”, shkruan Cakaj.

‘Duke kujtuar këtë masakër’, thotë Cakaj, ‘ne kujtojmë edhe rrugëtimin drejt pavarësisë së Kosovës nëpërmjet fushatave më të shëmtuara të spastrimit etnik dhe gjenocidit.’

“Njëzetë e një vjet më vonë ende kujtojmë nevojën për vënie para drejtësisë të frymëzuesve politikë dhe zbatuesve ushtarakë e spastrimit etnik dhe veprimeve gjenocidiale në Kosovë”, përfundon ministri.