Flash News

OP-ED

24 vëzhgime sociologjike për Shqipërinë dhe shqiptarët

24 vëzhgime sociologjike për Shqipërinë dhe shqiptarët

Marsel Lela

Vëzhgim sociologjik Nr. 1

I frymëzuar nga ligji 7501.

A: Unë kam aq tokë sa një ditë i hipa kalit dhe eca gjithë ditën, por nuk kisha përshkuar as gjysmën e saj.

B: Të kuptoj, kam pasur edhe unë një kalë të tillë.

Vëzhgim sociologjik Nr. 2

Si ia shpjegon rregullat rrugore një baba demokrat të birit.

Djali: Bab', pse nuk ka viza t'bardha?

Babai: I ka thithë Edi Rama, t'past' baba.

Vëzhgim sociologjik Nr. 3

Si ta shpjegojmë për popullin e thjeshtë çfarë është e majta dhe e djathta? Shembulli më i mirë për këtë është batuta e një tironsi të vjetër te rruga “Fortuzi”.

E djathta: Qytetari shkon tek dyqani i mishit. Lexon "Kasap", hyn brenda, gjen mish.

E majta: Qytetari shkon tek dyqani i mishit. Lexon " Mish", hyn brenda, gjen kasap.

Vëzhgim sociologjik Nr. 4

Një gazetashitëse: Jo mor, jo, nuk rrehet populli, asht' i zgjuar, por, i shkreti, asht' memec.

Vëzhgim sociologjik Nr. 5

Si kanë ndryshuar kohërat! Dikur luigjëve u fluturonte koka. Sot fluturojnë me charter.

Vëzhgim sociologjik Nr. 6

Në Shqipëri marrja e rrogave duhet të shpallet festë kombëtare.

Vëzhgim sociologjik Nr. 7

Çfarë është një kritikë e dobët?

Kur thuhet për një pikturë: Qenka si fotografi; dhe për një fotografi, qenka si pikturë!

Vëzhgim sociologjik Nr. 8

Jetojmë në një kohë kur njerëzit u thërrasin kafshëve, “o bij”, dhe bijve, “o kafshë”.

Vëzhgim sociologjik Nr. 9

Shqiptari mund t'i fusë hundët në punët e të tjerëve, por ama gishtin e fut në hundën e vet.

Vëzhgim sociologjik Nr. 10

Kot thonë se lexuesit nuk vlerësohen në Shqipëri. Mua sa herë më shohin me libër në dorë, kalimtarë që as nuk më njohin e as nuk i njoh, më hedhin lekë pa fund. – Gjynah, i shkreti!, thonë, dhe ikin duke më parë si me keqardhje.

Vëzhgim sociologjik Nr. 11

Si po shkojnë punët, i vetmi objekt historik që do mbetet në Tiranë është trafiku.

Vëzhgim Sociologjik Nr. 12

Meshkujt shqiptarë mburren për burrërinë e tyre dhe për virtytet burrërore, si besa, trimëria dhe urtësia. Cilësi këto që duhet t’i ketë çdo burrë i vërtetë. Në këtë vëzhgim sociologjik do të shohim fare shkurt burimin e kësaj cilësie të rralle dhe gjithnjë e në zhdukje.

Si bazë të këtij studimi kemi marrë katër personazhe të folklorit tonë, të cilët shquhen për burrërinë e tyre.

Muji, simbol i fuqisë – Nuk do të kishte pikë fuqie po të mos e mëkonte një zanë.

Ago Ymeri, simbol i besës – Nuk do mund ta mbante fjalën e dhënë nëse nuk e lironte vajza e krajlit.

Kostandini, simbol i besës – Shkak u bë mallkimi i lokes për amanetin e pambajtur.

Gjergj Elez Alia, simbol i trimërisë dhe rezistencës – Nuk do luante as gishtin po të mos ishte për motrën.

Kalaja e Rozafës - U desh një grua që ta mbante në këmbë.

Përfundimi: Le të falenderojmë gratë për gjithë këtë burrëri.

Vëzhgim sociologjik Nr. 13

- Kam ardhur të rinovoj ilaçet. Më kanë skaduar.

- Zotëri, ju dje i bletë.

- Do t'ua kenë zeruar kilometrat në farmaci.

Vëzhgim sociologjik Nr. 14

Si është ajo fjala? "Shtatë facebook e nji trimni"?

Vëzhgim sociologjik Nr. 15

Duke parë se edhe eurodeputetët grekë po dalin me origjinë shqiptare, po kuptojmë se grekët janë minoritarë edhe në Greqi.

Vëzhgim sociologjik Nr. 16

"Sa t'mbaj rruga", njësi matëse autoktone pellazge.

Vëzhgim sociologjik Nr. 17

Konstatim i një këpucari:

Shqiptarët do t’i kërkojnë të drejtat e tyre ditën kur një krokodil do të trokasë në derën e një politikani dhe do t’u kërkojë këpucët.

Vëzhgim sociologjik Nr. 18

Parlamentarët shqiptarë duhet të veshin kostume si të pilotëve të Formula 1, që ta dimë se kush i ka blerë.

Vëzhgim sociologjik Nr. 19

Jam i sigurtë se një keniane që vrapon çdo mëngjes për t'i shpëtuar luanit në Savanë, vrapon po aq shpejt për t'u shpëtuar hienave në Tiranë.

Vëzhgim sociologjik Nr. 20

Në Shqipëri, çdo gjë e bukur shoqërohet me hudhër. Ja përse shumë shpejt e bukura zhduket dhe mbetet vetëm era e keqe.

Vëzhgim sociologjik Nr. 21

Pas një bisede okulte me një artist dolëm në përfundimin se artistët nuk i zë kurrë kronika e zezë, sepse nuk kanë as makinë të shtrenjtë, as kuletë obeze.

Vëzhgim sociologjik Nr. 22

- E hëngri turpin me bukë.

- Ai të paktën e shoqëron me diçka.

- Ai të paktën ka bukë.

Vëzhgim sociologjik Nr. 23

Dialog mes fshatarësh tek Pazari i Ri:

  • Mora vesh se ka rënë shteti.
  • Sa ka shku kilja?

Vëzhgim sociologjik Nr. 24

  • Më thuaj një instrument folklorik shqiptar.
  • Boria e makinës.

Të fundit