Flash News

KRYESORE

3 ditë pa qeverinë teknike, Basha një hap pas për t’i lënë hapësirë Ramës për negociata të reja

3 ditë pa qeverinë teknike, Basha një hap pas për t’i

Prej tre ditësh kryetari i opozitës, Lulzim Basha, nuk është duke folur më nga çadra për krijimin e qeverisë teknike, si kusht i padiskutueshëm për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Nga një vëzhgim i Politiko.al të deklaratave të bëra ditëve të fundit nga Basha, vihet re se qeveria teknike nuk është pjesë e artikulimit të kryeopozitarit në kërkesat që ka ndaj mazhorancës për hyrjen në zgjedhje.

Hera e fundit kur Basha foli për domosdoshmërinë e largimit të Edi Ramës dhe krijimin e qeverisë teknike, ishte data 29 prill, një ditë pasi Ilir Meta u zgjodh president i Republikës vetëm me votat e mazhorancës. Në atë fjalim, Basha hodhi poshtë pretendimet e Ramës se Meta ishte një “president konsensual”, duke theksuar se kreu i Kuvendit nuk përfaqësonte popullin.

“Që qeverisja të kontrollohet nga qytetarët shqiptarë, ne duhet dhe do të kemi vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme ku shqiptarët të votojnë të pashitur e të pablerë, të pakërcënuar dhe të pavënë në rresht nga një shtet kriminal dhe i dështuar, i bërë njësh me partitë në pushtet. Prandaj e vetmja rrugë për për zgjedhje të lira dhe të ndershme është largimi i Edi Ramës, një qeveri teknike me mandat popullor dhe politik, për të luftuar drogën, për të larguar kriminelët dhe për të garantuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, do shprehej Basha të shtunën e fundit të prillit gjatë takimit në çadër me qytetarë të Korçës.

Në fjalimet e mbajtura më 30 prill, 1 maj dhe 2 maj, Basha nuk e ka përmendur qeverinë teknike si kusht të opozitës.

Sigurisht që kjo nuk mund të jetë një harresë e kreut të PD-së, por me shumë mundësi një tërheqje e tij për t’i lënë hapësirë kryeministrit Rama të pranojë negociatat e reja për të krijuar kushtet e nevojshme në Shqipëri për mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Të fundit