30 qershori, Meta denoncon Ramën në Komisionin e Venecias. 16 kritika për mazhorancën

Presidenti i Republikës ka bërë publik raportin që i ka dorëzuar Komisionit të Venecias mbi vendimin e tij për anulimin e datës 30 qershor si datë e zgjedhjeve vendore. Në raportin 55 faqësh Meta përshkruan kontekstin politik dhe ka argumentuar se ndërhyrja e tij si Presidenti ka qenë e nevojshme.

“Anëtarësimi në BE është objektivi strategjik kombëtar ende i papërmbushur i Shqipërisë. Rreziku i cënimit të integritetit të procesit zgjedhor të 30 qershor 2019 që do të ndikonte negativisht mbi këtë vendim, u evidentua qartë edhe në raportin e OSBE/ODIHR, ku konstatohet se kjo periudhë u karakterizua nga antagonizmi i thellë i palëve dhe mungesa e përgjegjësisë së përbashkët”, shkruhet në hyrje të raportit.

“Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR për procesin zgjedhor të 30 qershorit 2019 pohon qartë se: “Kriza politike u intensifikua me afrimin e ditës së zgjedhjeve. Ky antagonizëm ishte tregues i mungesës së përgjegjësisë së përbashkët ndaj integritetit të procesit zgjedhor që duhet të tejkalonte ndasitë partiake, dhe, rrjedhimisht, ndikoi negativisht në të drejtën e qytetarëve për të marrë pjesë në qeverisje”, vijon më tej Meta.

Në 16 konkluzionet përfundimtare, kreu i shtetit evidenton se parlamenti humbi rolin mbykqyrës të ekzekutivit, pas lënies së mandateve nga deputetetët e opozitës në shkurt. Theksonet se Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk hetoi dosjet “184” dhe “339” për vjedhjen e votave. Meta njofton “Venecian” po ashtu se protestat e njëpasnjëshme të opozitës u shoqëruan me plagosje të efektiveve të policisë dhe qytetarëve.

Lexo raportin e plotë duke klikuar këtu