KRYESORE

55 gjëra që duhet të dini për Bernie Sanders, Trumpin e anës së majtë

55 gjëra që duhet të dini për Bernie Sanders, Trumpin e

POLITICO Magazine

Senatori Bernie Sanders i është gëzuar një karriere të gjatë si 'outsider' (i jashtëm) në politikë. Mesazhi i tij kryesor, ai i pabarazisë së të ardhurave, paraqitur me konsistencë metronomike, pothuajse mpirëse, shpesh është dukur si e vetmja gjë që dikush duhet të dijë për të - domethënë, derisa ai të mbërrinte në krye të fushatës së Demokratëve në vitin 2020. Tani, pas një vargani primaresh nga Karolina e Jugut të shtunën, në Kaliforni dhe Texas, dhe më tej te Super e Marta, njerëzit papritmas janë duke zbuluar ose rishikuar me interes të ri një mori zbulesash të Bernie-anës.

Po çfarë duhet të dinë votuesit? Këtu, nxjerrë nga librat, mbulimi i gjerë mediatik dhe arkivat e Revistës POLITICO, është një abetare e shpejtë e jetës së Bernard Sanders, lindur më 8 shtator 1941, në Brooklyn, New York, djali i një emigranti polak, një social-demokrat i cili gjithashtu ndodh që të jetë milioner, dhe drejtuesi i një lëvizjeje përparimtare që i ka futur dridhjet një partie me të cilën ai prej kohësh lufton nga brenda dhe nga jashtë.

1.

Ai u rrit në një apartament 3 dhomësh me kontroll-qiraje në Flatbush, djali i një shitësi bojrash dhe një shtëpiakeje, më i vogli i dy vëllezërve, që herë pas here, ndanin një dhomë gjumi të vogël dhe herë të tjera flinin me radhë në divanin e dhomës së ndenjes .

2.

Babai i tij erdhi në Amerikë në vitin 1921 në moshën 17 vjeç nga një fshat i vogël në Poloni në juglindje të Krakovit, dhe fliste polonisht dhe jidish, por thuajse fare anglisht.

3.

"Të qenit hebre", ka thënë ai, edhe pse prindërit e tij nuk ishin veçanërisht të devotshëm, "ka ndikuar shumë në zhvillimin tim intelektual dhe emocional." Ai ishte shumë i vetëdijshëm, gjithashtu, për peshën e rëndë të Holokaustit, duke ruajtur kujtime të gjalla të hershme të shfletimit të albumeve fotografike të anëtarëve të familjes së babait, të cilët ishin "vrarë nga nazistët".

4.

Djalosh ai ishte tifoz i Brooklyn Dodgers dhe ende është i pzematuar në lidhje me transferimin e ekipit të bejsbollit në Los Angeles në 1957. Nuk është "arsyeja e vetme që kam ndjekur këto politika", ka thënë ai, por ishte një zhgënjim formues. "Unë e pyeta:‘ A pati një ndikim të thellë te ju? "Dhe ai tha: Sigurisht! Mendova se Dodgers i përkisnin Brooklyn," tha një nga miqtë e tij më të ngushtë. "Kjo shtron pyetjen se kush zotëron çfarë".

5.

Në shkollën e mesme James Madison në Brooklyn, nga e cila u diplomua në 1959, ai kandidoi për president të trupit studentor në një platformë që përfshinte mbledhjen e parave për jetimët e luftës në Kore. Ai doli i treti në zgjedhje, por shkolla e përqafoi kauzën e tij, sidoqoftë.

6.

Ai u la jashtë skuadrës së basketbollit të shkollës së mesme - "një nga zhgënjimet kryesore të jetës sime", tha ai- por ishte edhe një 'atlet yll'. Ishte bashkë-kapiten i ekipit të atletikës së Madison dhe u rendit i treti në të gjithë New York City në garën një kilometërshe të sallave të mbyllura. "Gjithmonë," do të shpjegonte "kisha qëndrueshmëri të mirë."

7.

Nëna i vdiq kur ishte 18 vjeç. Babai kur ishte 20 vjeç.

8.

Shkoi në Kolegjin Brooklyn për një vit para se të transferohej në Universitetin e Çikagos, ku rrugës për të fituar një diplomë në Shkenca Politike u bashkua me Kongresin e Barazisë Raciale, Komitetin Koordinues jo të dhunshëm studentor, Unionin e Paqes Studentore dhe Ligën e Socialistëve të Rinj, krahu zyrtar rinor i Partisë Socialiste. Ai ishte një student çka, por kaloi orë të tëra në bibliotekë, duke lexuar Psikologji, Sociologji dhe Histori, si dhe Marksin, Leninin dhe Trockin.

9.

Shkroi një manifest me 2.000 fjalë në Chicago Maroon, gazeta studentore e Universitetit, duke mbrojtur lirinë seksuale dhe sulmoi administratorët për politika që synojnë të parandalojnë studentët nga seksi.

10.

U arrestua në gusht 1963, në South Side të Chicago-s ndërsa protestonte për pabarazinë racore. I akuzuar për rezistencë ndaj arrestit, u shpall fajtor dhe u gjobit me 25 dollarë.

11.

Verën pasi mbaroi kolegjin, në vitin 1964, ai bleu, për 2.500 dollarë, shtëpinë e tij të parë, një barakë pa dysheme në një pyll, jashtë Middlesex, Vermont. Nuk kishte energji elektrike dhe as ujë të rrjedhshëm.

12.

U martua me gruan e tij të parë në 1964. U divorcuan në 1966.

13.

Në mesin e viteve '60, punët e tij të para përfshinë gjëra të pjesshme në New York City, si ndihmës në një spital psikiatrik dhe mësues parashkollor për Head Start, dhe në Vermont duke hulumtuar taksimin e pronave për Departamentin e Taksave dhe regjistrimin e njerëzve për kupona ushqimore për një OJF të quajtur Task Forca për Bukë dhe Ligj.

14.

Gjatë Luftës së Vietnamit, ai bëri kërkesë për të mos u rekrutuar, por kërkesa iu refuzua. Ai ishte shumë i moshuar për t’u listuar ushtar kur i erdhi radha.

15.

Më 23 tetor 1971, në një takim në Vermont të partisë së vogël anti-luftë Liberty Union Party, Sanders, 30 vjeç, ngriti dorën për të kandiduar për Senatin e SHBA. Ai garoi për një vend në Senat nën siglën e Liberty Union në fillim të vitit 1972, dhe për guvernator më vonë atë vit, dhe përsëri për Senatin në 1974, dhe përsëri për guvernator në 1976. Kurrë nuk mori më shumë se 6 përqind të votave.

16.

Në 1972, botoi një ese 'grafike' në një të përjavëshme alternative në Vermont, në të cilën, përveç të tjerash, burra dhe gra fantazojnë për përdhunime. Pasi eseja u rishfaq në 2015, fushata e tij tha se ishte një "përpjekje budallaqe" për të satirizuar rolet gjinore.

17.

Gjatë shumicës së të njëzetave dhe të tridhjetave, ai jetoi «vetëm një shkallë më lart 'puno për t'u ushqyer'», sipas një miku të vjetër; mezi paguante faturat gjatë kohës që punonte si karpienter me kohë të pjesshme dhe shkrimtar freelance. Njëherë ai mori energji me zgjatues nga një fqinj për apartamentin e tij "spartan.

18.

Ai filloi një biznes që prodhonte filma me buxhet të vogël për historinë e Vermontit dhe të New Englandm që ua shiste shkollave. Bëri një dokumentar 30-minutësh mbi Eugene Debs, një organizator i shquar i Sindikatave në fillimin e viteve 1900 dhe 5 herë kandidati presidencial i Partisë Socialiste të Amerikës - të cilin Sanders e ka përmendur si një hero.

19.

Ai ka një fëmijë biologjik, një djalë, Levi Noah Sanders, i cili u lind në Vermont më 17 Mars 1969. Nëna e tij është një grua me emrin Susan Campbell Mott me të cilën Sanders jetonte në atë kohë në verilindje të shtetit.

20.

Levi, gjatë fëmijërisë, e thërriste babanë e tij "Bernard".

21.

Në 1981, në moshën 39 vjeç, Sanders fitoi zgjedhjet për kryetar të Bashkisë së Burlingtonit, Vermont, me vetëm 10 vota diferencë.

22.

Si kryetar i Bashkisë, paga fillestare vjetore e tij ishte 33.824 dollarë, deri tani më e shumta që ai kishte fituar ndonjëherë. "Eshtë kaq e çuditshme, thjesht të kesh para," i tha ai një reporteri nga Associated Press.

23.

Njëherë ai u gjobit se kishte parkuar Volkswagen-in Dasher, një makinë e ndryshkur, në vendparkimin e kryetarit të Bashkisë. Oficeri nuk mund të besonte se ishte me gjithë mend makina e kryetarit.

24.

Ai bëri vend në serinë satirike "Doonesbury" të Garry Trudeau. "Republika Popullore e Burlingtonit", e quante Trudeau qytetin. Sanders ishte pak i befasuar. "Unë nuk e kam të lehtë me komikët," tha ai. "Nuk e kap shakanë."

25.

Duke u argëtuar me referencën e "Doonesbury", Sanders luajti në një ekip softballi të quajtur "Republika Popullore e Burlingtonit" në vitet 1980.

26.

Sanders shërbeu si selektor për kandidatin presidencial të Partisë e Punëtorëve Socialistë në vitin 1980, Andrew Pulley, një Trockist që mbështeti regjimin e Kastros në Kubë dhe foli në mënyrë të favorshme për revolucionin iranian të 1979.

27.

Vizitoi Nikaraguan në 1985 dhe u takua me Presidentin Daniel Ortega. Ai thuri lëvdata për qeverinë socialiste Sandinista, e cila në atë kohë po luftonte kundër Kontrasve rebelë të mbështetur nga ShBA.

28.

Regjistroi një album me pesë këngë në vitin 1987, në të cilin paraqiteshin riinterpretime të hiteve popullore si "This land is your land" dhe "We shall Overcome". I hedhur në treg si kasetë shiti vetëm disa qindra kopje, por ribotimi i saj kapi numrin 62 në listën e shitjeve në Amazon në 2016.

29.

Ai vuri një flamur Sovjetik në zyrën e tij të Bashkisë për të nderuar qytetin e binjakëzuar të Burlingtonit në Rusi.

30.

Ai është i martuar me gruan e tij të dytë, Jane O’Meara Driscoll, një nënë e divorcuar me tre fëmijë që drejtonte zyrën e rinisë së Burlingtonit ndërsa ishte kryetar i Bashkisë, që nga viti 1988.

31.

Ai e kaloi "muajin e mjaltit" në BRSS në 1988. Ndërsa ishte në udhëtimin 10-ditor, një vizitë zyrtare për të ndihmuar në krijimin e marrëdhënieve të qytetit të binjakëzuar me Burlingtonin, ai vlerësoi koston e ulët të kujdesit shëndetësor dhe strehimit në Bashkimin Sovjetik dhe qortoi ShBA për ndërhyrja e saj në vendet e huaja. Një video e një ndalese në Yaroslavl, e tregon atë me gjoks të zhveshur në sauna duke pirë vodka me shpurën e tij dhe zyrtarë sovjetikë ndërsa dëgjonte këngë popullore ruse dhe këndonte "Kjo Tokë është Toka Juaj".

32.

Ai shkoi në Kubë me gruan në vitin 1989 duke shpresuar të takohej me Fidel Castron. Iu desh të kënaqej me një takim me kryetarin e Bashkisë së Havanës.

33.

Pas udhëtimit në Rusi, ai inkurajoi kompaninë e akulloreve të Vermontit Ben & Jerry për të ndërtuar një fabrikë atje. "Unë mendoj se ne jemi të gjithë këtu për të bërë një parashikim të fortë: Njerëzit në Bashkimin Sovjetik e duan akulloren dhe se Ben & Jerry do të bëjë miliona," tha ai në një konferencë shtypi. Kompania përfundimisht ndërtoi një fabrikë në BRSS, por nuk fitoi para.

34.

Ai mbështeti me ngulm Walter Mondale për president në 1984 - hera e parë që ai mbështeste një demokrat - dhe më pas aprovoi me entuziazëm edhe Jesse Jackson në 1988. Ai e bëri të qartë se këto miratime nuk do të thoshin se ai po e përafronte më ngushtë veten me Demokratët. "Jesse beson se ndryshimi serioz shoqëror është i mundur brenda Partisë Demokratike," tha ai në atë kohë. "Unë jo."

35.

I kaloi vitet e fundit të katër mandateve të tij si kryetar bashkie lokale duke u përpjekur të fitojë një zyrë shtetërore. Në vitin 1986, kandidoi për guvernator dhe humbi — për më shumë — duke marrë më pak se 15 përqind të votave. Në 1988, garoi për në Kongres dhe humbi përsëri, por ishte afër — ai mori 37.5 përqind përballë 41 përqind të Republikanëve. Në vitn 1990 ai fitoi në 'ndeshjen e kthimit', me më shumë se 16 pikë diferencë.

36.

Ndërsa kandidoi për në Kongres në 1988, ai solli një ekuipazh televiziv që e profilizoi për emisionin '60 Minuta' në zyrën lokale të AP në Vermont. Ai i shastisi reporterët kur e anashkaloi konferencën për shtyp. "Ishte e shijshme," shkroi ai në kujtimet e tij. "U argëtova shumë atë pasdite."

37.

Shoqata Kombëtare e Armëve u kërkoi anëtarëve të saj që të votojnë për të në garën e vitit 1990 për vendin e vetëm të Vermontit në Kongres. Në atë kohë, ai kundërshtonte një periudhë të detyrueshme pritjeje përpara blerjes së një arme. Por NRA e mbështeti atë posaçërisht për të larguar kundërshtarin e tij Republikan, i cili fillimisht kundërshtoi, por më pas mbështeti një ndalim të armëve sulmuese. "Nuk është fjala për Peter Smith kundër Bernie Sanders", tha Wayne LaPierre, Zëvendës Presidenti dhe Shefi Ekzekutiv i NRA-së, në atë kohë. "Ka të bëjë me integritetin në politikë." Sanders kishin mbështetur ndalimin e armëve të sulmit që në fillim.

38.

Ai vari një foto të Eugene Debs në zyrën e tij në Capitol Hill.

39.

Gjatë 16 viteve të tij në Kongres, ai ishte sponsori kryesor i vetëm një projekt-ligji që u bë ligj: riemërimi i një zyre postare në Fair Haven, Vermont.

40.

Sanders bashkë-sponsorizoi një projekt-ligj (H.R. 627) që hapi rrugën që Vermonti të dërgonte mbeturina bërthamore të nivelit të ulët në Sierra Blanca, Teksas, një qytet kryesisht i braktisur, ku dy të tretat e banorëve ishin Latino. Ndër kundërshtarët më të zëshëm liberalë të projektligjit ishte senatori i Minesotës, Paul Wellstone, i cili vuri në dukje se vendet e groposjes nukleare kurrë nuk duket se janë të vendosura "aty ku të fuqishmit, të lidhurit dhe njerëzit që japin kontribute të mëdha për partitë politike jetojnë. Pothuajse gjithmonë vendosen në komunitete me ngjyrë."

41.

Megjithëse Sanders kundërshtoi me ngulm luftën e vitit 2003 në Irak, ai mbështeti Aktin e Çlirimit të Irakut të vitit 1998, i cili deklaroi se ndryshimi i regjimit në Irak duhet të jetë politika zyrtare e ShBA.

42.

Përpara fushatës së tij të vitit 2006 për Senatin e ShBA, Sanders bëri paqe me Partinë Demokratike të Vermont dhe vendosi të kërkojë emërimin e saj. Ai e fitoi atë, më pas e refuzoi, duke garuar si i pavarur, ndërsa ndaloi që çdo kundërshtar demokrat të paraqitej në fletën e votimit të përgjithshëm.

43.

Profili i tij kombëtar u zgjerua në mënyrë dramatike në dhjetor 2010, kur ai mbajti atë që u bë i njohur si "Fjalimi", një filibuster (fjalim bllokues) 8.5 orësh në foltoren e Senatit për të bllokuar një marrëveshje dypartiake për të ripërsëritur një ulje taksash të miratuar që në administratën e George W. Bush. Sanders u bë tema kryesore në Twitter dhe e ktheu adresën e tij në librin më të shitur vitin e ardhshëm.

44.

Ish-udhëheqësit të shumicës në Senat, Harry Reid, me gjasë, iu desh ta bindte atë në vitin 2011 që të mos zhvillonte një garë në primare kundër Presidentit Barack Obama.

45.

Ai nuk e mbështeti garën e Levit për në Kongres në vitin 2018, duke thënë se familja e tyre nuk "beson në dinastitë politike". Levi u rendit i shtati.

46.

Gjithashtu nuk pranoi të mbështesë garën e thjeshtrës së tij në 2018-ën për kryetare e Bashkisë së Burlingtonit, zyra që ai mbante dikur. Ajo humbi.

47.

Gjatë gjithë jetës së tij si adult, ai i ka deniguar Demokratët, duke e quajtur partinë "të falimentuar ideologjikisht", duke e quajtur "sistemin dy-partiak ... një turp" dhe duke etiketuar partitë Demokrate dhe Republikane "tweedle-dee" dhe "tweedle-dum" (personazhe binjake në libra për fëmijë).

48.

Ben Cohen, "Beni" i Ben & Jerry, një përkrahës i gjatë i Sanders, është bashkëdrejtues i fushatës së tij presidenciale të vitit 2020. Në vitin 2016, kompania e akullores emëroi një shije pas tij - "Yarning Bernie".

49.

Vëllai i tij i madh, Larry, është gjithashtu një politikan i krahut të majtë - në Angli. Larry ishte këshilltar i qarkut të Partisë së Gjelbër në East Oxford, rreth 55 milje larg Londrës, nga 2005 deri në 2013.

50.

Sanders thotë se ai ka pirë dy herë marijuanë. "U kollita shumë," tha ai në 2015. "Nuk është gjëja ime, por është 'gjëja' për shumë njerëz."

51.

Ai ka një faqe IMDb, pasi u shfaq në ekran për dy minuta si një rabin në një komedi me buxhet të ulët të vitit 1999, My X-Girlfriend's Wedding Reception.

52.

I ka të gjitha simfonitë e Beethoven në iPad-in e tij. Ai gjithashtu ka thënë se pëlqen ABBA, Celine Dion dhe muzikën disko.

53.

Ai nuk ka aplikacione në telefon.

54.

Darka e tij e parapëlqyer është prime rib (lloj bifteku), misër në kalli, brokoli dhe bukë e freskët. Atij i pëlqen bifteku medium rare (pak i pjekur).

55.

Ai zotëron tri shtëpi dhe ka një pasuri prej të paktën 2 milion dollarësh dhe nget një Chevrolet Aveo të kuq të vitit 2010.

*Përkthimi: Politiko.al

Ditari politik

Të fundit