Djali u infektua nga COVID-19, deputetja e PS jep lajmin e mirë: Biri im e mposhti armikun

Deputetja e Partisë Socialiste, Antoneta Dhima ndau të mërkurën lajmin se djali i saj është shëruar nga koronavirusi. “E lumtur dhe e gëzuar që biri im e mposhti armikun e padukshëm, atë armik me të cilin shumë të tjerë po vijojnë betejën”, shkruan Dhima.

Pak ditë më parë, djali i deputetes socialiste ishte një ndër pacientët e infektuar me koronavirus. Ai u trajtua në Spitalin Infektiv deri më tani. Deputetja socialiste ka shprehur një falenderim dhe për mjekët dhe infermierët që shëbejnë në spitale gjatë këtyre ditëve.

“Falenderimet shkojnë për të gjitha bluzat e bardha, mjekët, infermierët, epidemiologët, imazheristët, laborantët dhe stafet mbështetëse, në Fier, Tiranë e kudo. Jeni ju që luftoni në frontin e parë të kësaj lufte globale, një lufte që me këmbëngulje e forcë ne do ta fitojmë.

Edhe pse nuk zgjodha të jepja lajmin për nisjen e kësaj lufte, jam e ngazëllyer që tani i uroj tim biri shëndet dhe jetë, dhe po i njejti urim shkon për të gjithë Ju, që vazhdoni të kuroheni nga ky virus, që nuk zgjedh, duke na kujtuar se të gjithë jemi të barabartë”, shkruan ajo. Deputetja socialiste shpreh dhe urimin për shërimin e personave të tjerë të infektuar nga koronavirusi në vendin tonë.

E lumtur dhe e gëzuar që biri im e mposhti armikun e padukshëm, atë armik me të cilin shumë të tjerë po vijojnë betejën….

Gepostet von Antoneta Dhima am Mittwoch, 1. April 2020