Flash News
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Presidenti Begaj dekreton ligjin për zonat e mbrojtura
Mbytet në ujin e shatërvanit një i mitur afgan në Shëngjin
“Minuan sundimin e ligjit”, DASH shpall ‘non grata’ tre zyrtarë të lartë në Ballkan
Akuzohet për 4 vepra penale/ SPAK nis hetimet ndaj drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi
4 ministra të Jashtëm letër BE-së për Shkupin dhe Tiranën: Koha për një vendim të guximshëm edhe për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor
Katër ministra të Jashtëm i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian që të nisë negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, vetëm pak ditë para vendimit final në samitin e 17-18 tetorit.
Përmes një letre të hapur të titulluar “Le të ecim përpara në Ballkanin Perëndimor” , ministrat e Jashtëm të Polonisë, Sllovakisë, Çekisë dhe Hungarisë, kërkojnë nga BE një vendim të guximshëm për nisjen e bisedimeve për anëtarësim, jo vetëm për dy vendet kandidate, por edhe për të ardhmen e gjithë Ballkanit Perëndimor dhe BE.
Pjesë nga letra e kryediplomatëve të BE:
Vendimi i Bashkimit Evropian nëse do të fillojë negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë vjen në një kohë kur blloku po përballet me sfida të shumta.
Sidoqoftë, çështjet para nesh (Brexit, migracioni, fillimi i Komisionit të ri Evropian) nuk duhet të na shpërqendrojnë nga ato që BE ka arritur të arrijë në Ballkanin perëndimor - dhe atë që ne ende mund të realizojmë duke qëndruar ndaj angazhimeve që kemi bërë në rajon.
Progresi i bërë nga vendet e Ballkanit Perëndimor është mbresëlënës. Ata kanë transformuar ekonomitë, gjyqësorin, administratën publike dhe sistemin e sigurisë.
Sidoqoftë, nuk duhet të harrojmë se ky përparim nuk do të ishte i mundur pa perspektivën e qartë të anëtarësimit në BE. Qëllimi i anëtarësimit në BE shërben si një motivues i fuqishëm për qeveritë dhe qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor që t’u nënshtrohen reformave të nevojshme por shpesh të dhimbshme. Ne nuk mund të jemi të pavëmendshëm ndaj këtij realiteti dhe të kërkojmë justifikime për të mos ecur përpara me procesin e integrimit në BE.
Ndërsa BE vendos nëse do të fillojë bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është e rëndësishme të theksohet se të dy vendet kanë përmbushur kriteret që BE përcaktoi për ta, duke vendosur reforma të ndërlikuara të brendshme. Për më tepër, Maqedonia e Veriut ka përfunduar Marrëveshjen historike të Prespës me Greqinë, duke zgjidhur mosmarrëveshjen e gjatë për emrin e vendit.
Në njohje të këtij përparimi mbresëlënës, Komisioni Evropian lëshoi një rekomandim të pakushtëzuar në maj 2019 për të filluar negociatat për anëtarësimin në BE me të dy vendet. E megjithatë, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë ende në pritje të dritës së gjelbër nga qeveritë kombëtare të BE. Fillimi i bisedimeve të pranimit është një hap i rëndësishëm në rrugën e anëtarësimit në BE, por ai nuk duhet të ngatërrohet me vetë anëtarësimin. Integrimi në BE është një proces i ekuilibruar i bazuar në merita që synon të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor të reformojnë dhe të përgatiten për anëtarësim në BE duke përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve të tyre.
Përfshirja e Ballkanit Perëndimor në Bashkim është në interesin politik, ekonomik dhe të sigurisë së BE-së. Negociatat janë një proces afatgjatë që do t'i japë BE-së hapësirë të gjerë për shqyrtimin e reformave të vendeve kandidate, përfshirë ato në fushën thelbësore të sundimit të ligjit. Vitet e nevojshme për të përfunduar bisedimet e pranimit do t'i ofrojnë BE-së kohë të mjaftueshme për të diskutuar dhe prezantuar në tërësi ndryshimet e nevojshme para dhe pas pranimit të anëtarëve të rinj.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë duke pritur me padurim fillimin e një faze të re të procesit të integrimit në BE. Koha është e të marrë një vendim të guximshëm për të ardhmen e jo vetëm këtyre dy vendeve, por edhe të gjithë Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Një vendim pozitiv do të dërgojë një sinjal të qartë se BE njeh rezultate konkrete në përmbushjen e kushteve të përcaktuara. Ai do t'i sigurojë rajonit një impuls të ri për reforma dhe transformime të mëtejshme.
Duke i mundësuar Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të ndërmarrin hapin tjetër në procesin e integrimit, BE do të riafirmojë angazhimin e saj për stabilitetin, sigurinë, demokracinë dhe prosperitetin e rajonit. Dhe do të pranojë faktin se vetëm përmes integrimit të Ballkanit Perëndimor BE mund të jetë e plotë dhe interesat e saj afatgjata të mbrohen siç duhet.
Tomáš Petříček, ministri i Jashtëm çek, Peter Szijjártó ministri hungarez i Punëve të Jashtme, Jacek Czaputoëicz ministri polak i Punëve të Jashtme dhe Miroslav Lajčák Ministri Sllovak i Punëve të Jashtme.
Ndërkohë, draft-konkluzionet për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën pritet të diskutohet sot dhe nesër në samitin e ministrave të Jashtëm në Bruksel dhe më pas vendet anëtare do të vendosin për fatin e integrimit të dy vendeve në samitin e 17 dhe 18 tetorit.