Flash News

KRYESORE

4 plumba drejt biznesmenit të ndërtimit, mësohet shkaku i sherrit

4 plumba drejt biznesmenit të ndërtimit, mësohet shkaku i sherrit

Dy ditë më parë biznesmeni shkodran  Xhevat Vataksi mbeti i plagosur pasi një breshëri plumbash u gjuajtën drejt tij nga Artur Lushi. Lushi nuk është vënë akoma në pranga të policisë.

“Panorama” shkruan se burime pranë grupit hetimor bëjnë të ditur se shkak për ngjarjen është bërë një kërkesë që ka pasur autori i dyshuar i plagosjes. Sipas burimeve 43- vjeçari Lushi ka kërkuar që Xhevat Vataksi duke qenë se po bën punimet në një pjesë të aksit Shkodër-Velipojë, (që është në rikonstruksion e sipër) t’i mundësojë ndërtimin e një ure të vogël në mënyrë që të komunikojë me tokën që ka në pronësi.

I plagosuri dhe autori i dyshuar disa herë e kanë diskutuar këtë çështje, duke mos arritur ende që të gjejnë gjuhën e përbashkët për realizimin e saj, ku 60-vjeçari i ka bërë të ditur Lushit se është i detyruar të zbatojë vetëm projektin në letër. Xhevat Vataksi është pronar i firmës së ndërtimit, e cila është e nënkontraktuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, për të bërë rikonstruksionin e pjesës Bërdicë-Trush në aksin Shkodër-Velipojë.

Vataksi ka lotin e parë në këtë investim të rëndësishëm të qeverisë shqiptare, ku prej kohësh ka nisur puna. Kjo pjesë i bie që të ketë një devijim nga rruga e vjetër ekzistuese me qëllimin për të shkurtuar distancën, e parashikuar edhe në projekt. Duke qenë se ka një devijim, rruga e re do të duhet të kalojë edhe në disa toka të banorëve të Bërdicës dhe në afërsi të ndonjë objekti tjetër. Banorët kanë pasur kërkesa të ndryshme, siç janë shpronësimet apo edhe ndërtimi i urës së vogël që ka kërkuar Artur Lushi.

Mirëpo këto kërkesa ende nuk janë marrë parasysh, pavarësisht disa takimeve të zhvilluara. Kjo ka bërë që herë pas here banorët të përfshihen në debate të ndryshme, duke kërkuar kështu të drejtën e tyre, por deri më tani nuk kanë gjetur një zgjidhje. Pasi kanë biseduar disa herë për çështjen e urës, autori i dyshuar, sipas burimeve të Policisë, ka telefonuar shtetasin Xhevat Vataksi dhe pas telefonatës janë takuar te rruga e Darragjatit.

Por, siç duket dyshja nuk kanë arritur në një marrëveshje dhe Lushi ka qëlluar me breshëri plumbash drejt Xhevat Vataksit.

Të fundit