5 propozimet e Bashës për rimëkëmbjen e bizneseve të prekura nga tërmeti

Kryetari i PD, Lulzim Basha, deklaroi në takime me biznese të prekura nga tërmeti në Durrës se ata duhet të përfitojnë lehtësi nga qeveria. Në mënyrë që të mos përballen me falimentimin, opozita ka propozuar një plan me 5 pika, që ofron lehtësi fiskale për biznesin, sipas përvojës së ndjekur nga Italia në situatë të njëjtë pas tërmetit në Aqulia.

“Të gjitha bizneset, ato të e vogla, bizneset e Durrësit duhet të përfitojnë nga masa lehtësuese. Kështu ka ndodhur kudo kur janë goditur ekonomitë lokale nga tërmeti. Durrësi nuk është thjesht ekonomi lokale, është ekonomia e dytë më e madhe pas Tiranës. Po u fut Durrësi në kolaps ekonomik të thellë për shkak të tërmetit, se në kolaps ekonomik kemi qenë edhe përpara tërmetit, atëherë e merr gjithë Shqipërinë me vete. Prandaj kemi propozuar ato 5 masa:

  1. Pezullim të faturave të energjisë dhe të ujit.
  2. Pezullim të të gjitha taksave vendore, duke përfshirë taksën e pronës,
  3. Pezullim dhe shtyrje e pagesës me këste të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore
  4. Anulim i çdo takse të tatim-fitimit apo taksa të tjera për të gjithë kohën derisa situata të normalizohet.
  5. Përjashtim nga TVSH për lëndët e para dhe materialet që përdoren për rikuperimin e dëmeve. “

Këto pesë pika i japin mundësi biznesit ta mbajë kokën mbi ujë”, – u shpreh Basha.

Paketa me 5 pika u propozua nga kryetari demokrat gjatë javës së shkuar pasi inspektoi bizneset e Durrësit, Krujës dhe qarkut të Lezhës, të cilët kanë pësuar dëme të mëdha materiale dhe për shkak të ndërprerjes së punës dhe largimit të forcës punëtore.