“5 qershori të kalojë siç është”, hapja e listave nga PS dhe opozita e Murrizit tejkaloi Këshillin Politik, shkeli rekomandimet e të huajve

Komisioni i Ligjeve dhe Këshilli i legjislacionit sot miratoi në mënyrë unanime propozimin e opozitës parlamentare për hapjen e listave në zgjedhjet e ardhshme të 2021-shit.

Me miratimin e kësaj nisme, automatikisht partitë politike nuk mund të shkojnë në koalicione parazgjedhore, me modelin e aplikuar deri tani.

Ndërkohë, u ra dakord se sa do jetë pragu zgjedhor dhe heqja e koalicioneve të mos përfshihen në ndryshime kushtetuese, por të përcaktohen në Kodin Zgjedhor.

Nisma mori bekimin edhe nga kryeministri Edi Rama të premten që kaloi, duke dalë pro listave të hapura.

Qëndrimi zyrtar i PS shkaktoi debate të forta politike, ndërsa menjëherë reagoi edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha i cili deklaroi se kryeministri “po hedh në erë marrëveshjen e 5 qershorit”, dhe se “nëse Rama ka vendosur të bëjë ndryshime të tjera në kuadër të Reformës Zgjedhore, është i detyruar, sipas marrëveshjes së 14 Janarit dhe të 5 Qershorit të kthehet në diskutimet e Këshillit Politik”.

Marrëveshja parashikon në pikën 10 të saj që “në rast të çdo ndryshimi të karakterit tekniko ligjor të këtyre amendamenteve, nga ana e trupave parlamentare ato duhet të miratohen nga Këshilli Politik përpara votimit”, por kjo gjatë këtyre dy javëve diskutime nuk ka ndodhur.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi “një marrëzi” pretendimin sipas tij se po prishej marrëveshja e 5 Qershorit. Ai këmbënguli duke thënë se “marrëveshja e 5 qershorit nuk do të preket. Nëse ne do të kalojmë në Kuvend, Kodin dhe do të dalë një pikë, një kërkesë për të cilën kemi rënë dakort që mungon, apo që është tjetërsuar, atëherë le të na e thonë ku është, cila pikë. Po nuk mund të ndalohet Kuvendi i Shqipërisë, nuk mund të ndalohet Partia Socialiste e Shqipërisë, ashtu sikundër nuk mund të ndalohet asnjë deputet i Kuvendit të Shqipërisë që të shkojë përtej asaj kornize dhe për çfarë? Jo për të bërë Edi Ramën mbret, por thjesht për t’u dhënë qytetarëve më shumë pushtet në zgjedhje.

Është komplet pa lidhje me njëra -tjetrën. Lidhja e këtyre të dyjave është më shumë politikë, sesa është shërbim ndaj të vërtetës dhe ndaj vendit”, theksoi të premten Rama.

Në debatet politike kjo lëvizje e papritur e PS me bashkëpunimin e të ashtuquajtur opozitën parlamentare është parë edhe si një mundësi avantazhi elektoral për mazhorancën në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të planifikuara në pranverën e vitit 2021.

Kjo pasi me hapjen e listave, koalicionet parazgjedhore (konkretisht rivalët PD dhe LSI) bien automatikisht.

Një ekspert ndërkombëtar i shpjegoi pak ditë më parë Zërit të Amerikës, se detyrimisht, “hapja e listave do të çojë në ndryshime kushtetuese”.

Neni 68 i Kushtetutës përcakton ndër të tjera se “renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumëmërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në komisionin zgjedhor përkatës”. Sipas ekspertit “një përcaktim i tillë i referohet pikërisht listave të mbyllura”, ku renditja e kandidatëve ka rëndësi për emrat që marrin mandatin e deputetit.

Sipas tij, sistemi aktual favorizon koalicionet duke i dhënë më shumë vlerë votave të partive të vogla nën ombrellën e një partie të madhe. Dhe në konfigurimin aktual politik, shmangia e koalicioneve, duket se do t’i shkonte më për shtat Partisë socialiste.

Ndërkombëtarët

Nga ana tjetër, ndryshimet kushtetuese jo vetëm që nuk u diskutuan në Këshillin Politik, por gjithashtu nuk kanë patur as mbështetjen e faktorit ndërkombëtar si SHBA, BE, OSBE.

Kujtojmë se, ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim tha javës që shkoi në emisionin ‘Real Story’ të gazetarit Sokol Balla që marrëveshja e 5 qershorit duhet të kalojë sic është.

“…Kur njerëzit flasin për ndryshim dhe reformën zgjedhore, duan sistemin e hapur. Dhe unë e kuptoj këtë, por siç e kam thënë më parë, e dini, synimi ynë i menjëhershëm është shumë specifik. Është që të sigurohet që Shqipëria të hyjë në BE. Pjesa tjetër, nëse mund të arrihet një marrëveshje, mrekulli. Të bëhet. Por ajo që nuk duam është një situatë pengmarrjeje kur diçka që është ekstra mban peng diçka që është e nevojshme.

Nuk mund të jetë dhe nuk mund ta mbështes këtë. Marrëveshja, 5 qershori, është mbyllur dhe nuk mund ta hapim përsëri”, deklaroi ambasadorja amerikane.

Ndërkohë, edhe përfaqësia e BE-së i përmbahet komenteve të Komisionerit për Zgjerimin Oliver Varhelyi, pak para daljes së kryeministrit Rama të premten.

Ndërsa këmbëngulte për miratimin sa më shpejt nga parlamenti të marrëveshjes së 5 qershorit, ai shtonte se “reforma të mëtejshme, të lidhura me sistemin zgjedhor, përtej rekomandimeve të OSBE/ODIHR duhet të aprovohen të paktën një vit para zgjedhjeve dhe kërkojnë konsultimet e duhura, siç rekomandon OSBE-ja”.

Më herët, OSBE dhe PPE kanë konfirmuar se ndryshime të tilla nuk mund të ndodhin një vit para zgjedhjeve.

Projektligji pritet të kalojë në Kuvend për diskutime në 30 korrik dhe më pas presidentit Ilir Meta për dekret.

Lexo edhe: Opozita e Bashkuar akuzon Ramën: Po tenton prishjen e marrëveshjes së 5 qershorit, në rrezik stabiliteti i vendit