50-70 euro në një sekondë reklamë, cili është emisioni televiziv më i “ shtrenjtë” në Shqipëri

Nga ofertat e kompanive celulare, ushqimet, pajisjet elektro-shtëpiake kompanitë i bombardojnë teleshikuesit me reklama pa fund nga mëngjesi deri në darkë vonë.

Këto reklama paguhen nga 4 euro kur transmetohen në mëngjes deri në 70 euro në sekondë për programet e ndjekura argëtuese në mbrëmje si “Portokalli” në Top Channel apo për debatet politike më i shtrenjti është emisioni ‘opinion’ në tv Klan me 50 euro për sekondë reklamë të transmetuar.

Sipas revistës Monitor, 8 televizionet kryesore kanë transmetuar për teleshikuesit rreth 26 milionë sekonda reklama për 2018-ën sipas të dhënave të monitoruara nga Idra Media, me një rritje prej gati 20% në raport me 2017-ën.

Top Channel është televizioni që ka transmetuar më shumë kohë publicitare me 4.9 milionë sekonda, Klani i dyti me 4.2 milionë sekonda, në vend të tretë është renditur ABC News me 3.8 milionë sekonda, Vizion Plus me 3.54 sekonda, duke i zënë vendin News 24 që ishte në vendin e tretë.

Më pas renditet Report tv me 2.9 milionë sekonda dhe Ora News me 2.1 milionë.

Sektorët më të mëdhenj reklamues vijojnë të mbeten telekomunikacionet që pas rënies në 2017-ën kanë rritur sërish buxhetet për 2018-ën ku ndikimin kryesor për këtë përmirësim e ka dhënë Telekom Albania.

Më pas vjen tregtia më pakicë dhe platformat televizive me pagesë e më pas janë produktet ushqimore.