Flash News

KRYESORE

50 vjet në karrige me rrota, ndahet nga jeta gjeniu i fizikës Stephen Hawking

50 vjet në karrige me rrota, ndahet nga jeta gjeniu i fizikës Stephen

Pas 50 vitesh në karrige me rrota, është ndarë nga jeta shkencëtari dhe fizikanti i famshëm britanik Stephen Hawking. Pas një sëmundje të rëndë, Hawking ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në moshën 76-vjeçare. Lajmin e ka bërë të ditur vetë familja, e cila njoftoi se fizikanti u nda nga jeta në shtëpinë e tij në Cambridge të Anglisë.

 Ai është fizikanti më i famshëm që prej Albert Ajnshtajnit dhe për shumë gjeniu më i madh i kohës sonë.  

Karriera e Hawking si studiues nisi pikërisht me një goditje të fatit. Në moshën e 20-vjeçare kur sapo kishte nisur tezën e doktoratës u shfaqën shenjat e para të një sëmundjeje fatale të palcës kurrizore, të sklerozës laterale amiotrofike (ALS).

Shpejt sëmundja e lidhi atë pas karriges së invalidit. Ai humbi zërin dhe mundte të komunikonte vetëm përmes një aparati. Megjithë paaftësinë e tij fizike, fizikanti ia del mbanë si jetës së tij private, për të cilën dëshmojnë dy martesat dhe tre fëmijët, ashtu edhe asaj profesionale. 

Haëking ka arritur si asnjë tjetër fizikant që ta bëjë kozmologjinë interesante për një publik të gjerë. Në vitin 1988 ai botoi librin e tij “Një histori e shkurtër e kohës”. Ky libër u bë libri më i suksesshëm shkencor. Edhe pse përmbajtja e tij nuk është aspak e lehtë për t’u kuptuar deri tani nga ky libër janë shitur miliona kopje, duke e bërë atë një figurë kult. Më vonë ai shkroi bashkë me të bijën Lucy, edhe një seri librash për fëmijë.

Në Kembrixh Hawking zhvilloi teoritë e tij më të rëndësishme për fizikën: nisur nga teoria e përgjithshme e relativitetit e Ajnshtajnit, ai vërtetoi se shpërthimi i madh duhet të ketë nisur me një të ashtuquajtur “singularitet” para rreth 14 miliardë vjetësh si një pikë tepër e vogël, e paimagjinueshme dot, e cila nuk mund të kuptohet me formulat dhe ligjet e sotme të fizikës .

Por tema e preferuar Hawking ishin vrimat e zeza, monstera galaktike që përpijnë me forca të mëdha graviteti çdo gjë që u vjen afër. Gjetja e tij kryesore: vrimat e zeza nuk ekzistojnë përgjithmonë, por ato zhduken ngadalë, për shkak se çlirojnë një rrezatim – rrezatimin e Hawking.

Kjo gjë ende nuk është provuar, prandaj edhe Haëking nuk e mori Çmimin Nobel në Fizikë. Megjithë mungesën e provave shumica e ekspertëve janë të bindur për ekzistencën e rrezatimit të Hawking.

 

 

Të fundit