Flash News

KRYESORE

550 vjet nga vdekja e Skënderbeut, Muzeu Historik çel ekspozitën 'Moti i Madh'

Ditën e sotme mbushen 550 vjet nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut. Në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, (17 janar 1468), Muzeu Historik Kombëtar çel ekspozitën me titull “Moti i Madh”.

 Kjo ekspozitë përmban statute, faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm dhe portrete, me anën e të cilave vizitorët njihen me momente nga jeta dhe betejat e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, i cili ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane.

Bashkimi shpirtëror i të gjithë popullit shqiptar dhe forcimi i vetëdijes kombëtare të tij, shënonin fitoren më të madhe të epopesë së lavdishme të shek. XV dhe të tërë veprës së Skënderbeut. Objekti qëndror i ekspozitës është kambana e Karpenit me tingullin e saj, si gjurmë e kohës, e cila daton në vitin 1465. Po ashtu, përshkrimi i Arbërisë para pushtimit osman pasqyrohet nëpërmjet hartës me principatat shqiptare të kohës, bashkë me emblemat e tyre, fisnikët që morrën pjesë në Besëlidhjen e Lezhës, bashkimin politik dhe ushtarak më të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve.

 

Të fundit