Flash News

KRYESORE

9 paradokse shqiptare: nga 'leninizmi i Ramës', 'garat e Patozit' dhe 'bingoja e Cakajt'

9 paradokse shqiptare: nga 'leninizmi i Ramës', 'garat e

Enton Palushi

Situata e krijuar nga kriza politike, e prodhuar nga akuzat për mungesën e garës, ka prodhuar plot paradokse dhe çudira parademokratike vetëm brenda disa ditësh.

1-Atje në majë është qeveria e Edi Ramës, e cila, pasi u krenua për gjashtë vite me radhë se në vend nuk ka opozitë, dhe se ata po ia bëjnë opozitën vetes, tani kërkon ta vërë plotësisht në jetë shprehjen e Leninit se “mënyra më e mirë për ta kontrolluar opozitën është që ta drejtosh atë”.

2-Pastaj janë ndërkombëtarët, ata që kanë investuar shumë që shqiptarët të shkëputen sa më shumë nga trashëgimia leniniste, të cilët nuk duken të shqetësuar nga krijimi i opozitave false.

3-Pastaj janë disa që mendojnë se opozita nuk është frymë, por është një post që mund të ta japin.

4-Pastaj janë ata që kanë krijuar iluzionin se tashmë që opozita nuk është në Kuvend, ajo nuk ekziston fare, duke lënë një hapësirë bosh që duhet mbushur.

5-Pastaj është Astrit Patozi, i cili ankohej dikur se nuk mund të konkurronte kundër Lulzim Bashës në PD pasi nuk do ketë garë, por tanimë beson se mund të ketë garë kundër Edi Ramës.

6-Pastaj janë demokratët që i janë turrur Astrit Patozit dhe opozitës së re duke mos ua pranuar një të drejtë normale: regjistrimin e një force politike.

7-Pastaj është Gent Cakaj, simbol i mungesës së garës dhe karrierës në politikë, që pasi ka marrë një post të lartë ku duhet të shfaqesh sa më diplomat dhe i matur, nuk ngurron të jetë arrogant dhe impulsiv vetëm e vetëm se i ka rënë bingoja. Në kushte normale të garës do ishin socialistët të parët që do e kishin dërguar në shtëpi me kohë.

8-Pastaj është Erion Veliaj, që e qeveris Tiranën njësoj siç ka qeverisur Edi Rama Shqipërinë, pa kurrfarë plani, duke ngulur pallate e kulla kudo që sheh një cep bosh. Thjesht sepse beson se e ka mandatin në xhep. E dini çfarë tha pasi u mori qytetarëve një taksë për arsimin? Do bëhen 20 shkolla. Tani thotë se 17 shkollat e mbetura do bëhen mandatin e dytë. Sepse e ka me ‘tapi’ fitoren.

9-Si ‘qershia mbi tortë’ qëndron OSBE-ja dhe misioni i saj i ODIHR, të cilët vazhdojnë të prodhojnë raporte për zgjedhjet në Shqipëri pa u lodhur për dekada. Por vetëm se raporti i tyre i parë për zgjedhjet e qershorit prodhon një tjetër paradoks, që në fakt tregon thelbin e problemit të zgjedhjeve në Shqipëri.

Në fillim të raportit thuhet se shqetësimi kryesor i zgjedhjeve të fundit në Shqipëri ishte blerja e votave. Më pas thuhet se “nuk po bëhen përpjekje të fuqishme për të adresuar problemin e blerjes së votave” dhe këtu iu referohen ndryshimeve ligjore. Pastaj pak më poshtë thuhet se ‘hetimet për blerjet e votave në vitin 2017 po krijojnë perceptimin e mosndëshkimit të krimeve zgjedhore’. Akuza shkon më tej kur thuhet se nuk ka transparencë për këto hetime.

Tani pyetja që mund të bëjë çdo mendje sado naive në Shqipëri është e thjeshtë: Po çfarë ndryshimesh zgjedhore mund të bësh për të adresuar këtë problem kur ligji nuk zbatohet?

*Marrë me shkurtime nga gazeta Mapo. Titulli është i Politiko.

Të fundit