9 vjet nga heqja e vizave, sa të lirë janë shqiptarët brenda hapësirës Shengen

Këshilli i ministrave të Drejtësisë dhe ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, më 8 dhjetor të vitit 2010 miratuan liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.

Më 15 dhjetor të vitit 2010, hyri në fuqi vendimi i Parlamentit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e Shqipërisë që udhëtojnë në shtetet e Bashkimit Evropian.

Pas këtij vendimi shqiptarët mund të lëviznin të lirë në 27 vendet e zonës Shengen.

Ngjarja ishte e një rëndësie të madhe për shqiptarët.

Megjithatë ka disa kushte që duhen respektuar mbi lëvizjen e lirë.

Një shtetas shqiptar nuk mund të qëndrojë në hapësirën Shengen më shumë se 90 ditë për 180 ditë kalendarike.

Mosrespektimi i ditëve të qëndrimit (90 ditë), përbën shkelje të legjislacionit të Schengenit dhe policitë kufitare të kësaj zone aplikon penalizime që arrijnë në gjoba deri në 600 euro për person.

Lëvizje e lirë në hapësirën Schengen nuk u jep të drejtën qytetarëve shqiptarë për të qëndruar më shumë se 3 muaj dhe as të drejtën për t’u punësuar, apo për të kërkuar azil, në këto shtete.

Ata shtetas që kanë ndërmend të punësohen apo të studiojnë për një periudhë që tejkalon 90 ditët, më parë duhet të aplikojnë për vizë afatgjatë ose për leje qëndrimi, pranë ambasadës apo konsullatës së shtetit ku dëshirojnë të shkojnë.

Shtetet për të cilat nuk kërkohet vizë: Austri, Belgjikë, Bullgari, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Greqi, Gjermani, Holandë, Hungari, Islandë, Itali, Kroaci, Letoni, Lituani, Luksemburg, Maltë, Norvegji, Poloni, Portugali, Qipro, Republika Çeke, Rumani, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Suedi, Zvicër, Lihteshtein, San Marino.

Përjashtohen Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda të cilat janë jashtë zonës Schengen.