Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
94-vjetori i lindjes së Hamletit shqiptar, aktorit të madh, Naim Frashëri
Sot është ditëlindja e aktorit të madh të skenës dhe ekranit shqiptar, “Nderit të Kombit”, Naim Frashëri. Ai u lind në Leskovik, më 15 gusht të vitit 1923. Djali i aktorit, Anili, shkruan sot në facebook: “Tè uroj ditelindjen aty lart me engjejt, babai im i shtrenjte!” Artisti i shquar u nda nga jeta më 18 shkurt 1975. Ishte një goditje për artin skenik, mbi të gjitha, një artist potent që kishte dominuar skenën me kryerole të dramaturgjisë botërore e asaj kombëtare për 20 vjet rresht, sidomos me Hamletin e Shekspirit.
Natën, në të gëdhirë të 18 shkurtit Naimi, i shqetësuar dhe me një gjendje të rënduar shëndetësore, që nuk e tregonte hapur, fjeti vetëm. U ngrit disa herë se kishte shqetësime e dhimbje, tregonte e motra. Në mëngjes nuk u ngrit për të vajtur në punë, në Institut. Violeta, e shoqja, i thirri: “Ngrehu Naim, se vajti ora!” Kur ajo iu afrua, pa me tmerr sesi ishte mbledhur e kishte shtrënguar duart nga një sforco e jashtëzakonshme. Nuk jepte shenja jete. Vdiq nga një shtrëngesë e fortë, pa shqetësuar njeri”. Ishte 18 shkurt 1975. Jashtë bënte ftohtë e frynte një erë e lehtë ngjethëse. Më 19 shkurt gazeta “Zëri i Popullit” botoi nekrologjinë e vdekjes. (Pak kohë më vonë u botua edhe një artikull i gjatë për të ku, mes të tjerash shkruhej edhe këtë fjali: “Heshtni liliputë përpara zërit dhe figurës më të ndritur të Artit, Naimin Frasheri!").
Për organizimin e ceremonive të varrimit u ngrit një komision shtetëror. Homazhet bëheshin në hollin e Komitetit Ekzekutiv, nga ora 9.30-10.00. Përcjella për në varreza u bë në orën 10.00. Funerali i Naim Frashërit qe një manifestim i popullit që vërshoi në dyert e Komitetit Ekzekutiv për t’i bërë homazhe e për ta ndjekur me dhimbje largimin e tij… Gjatë rrugës ku kalonte funerali, i ndjekur nga mijëra e mijëra qytetarë, shikoheshin anës bulevardit punëtorë të ndërmarrjeve të ndryshme që kishin lënë punën e përcillnin artistin. Fjalën e lamtumirës e mbajti ministri Thoma Deljana. Varrimi u shoqërua me marshe funebre e me tri breshëri qitjesh nga një grup pushkatarësh…. Një dhimbje e humbje e madhe për artin! Por, në një farë mënyre, “Artistin e Popullit” e “vranë”, e vdiqën para kohe.
Naim Frashëri ishte njëri prej viktimave, heronjve të heshtur të kësaj lufte. Në vitin 1970 ai kishte arritur gjithçka, titujt e lartë, “Artist i Popullit”, “Hero i Punës Socialiste”, deputet, sekretar Partie i Teatrit Kombëtar, por, përsëri, nuk ishte i përkëdheluri i regjimit. Ishte artist me sedër të madhe e me guxim të pashoq. Nuk bënte kompromise. Njerëz mediokër deshën “t’i ulnin hundën” se nuk e duronin dot shkëlqimin e tij. Për këtë shpifën sepse kishin mbështetjen edhe nga lart. N; fillim u largua nga TK, në kulmin e pjekurisë artistike, deh e emeruan pedagog ne ILA. Punën e pedagogut Naimi e bënte me shumë pasion, duke sakrifikuar gjithçka nga përvoja e tij si aktor.
“Naimi vdiq i varfër, thoshte regjisori Esat Oktrova, edhe si njeri, edhe si aktor, ai ishte si një vullkan i heshtur”.
Artisti që ia kushtoi jetën teatrit, që mishëroi mbi 100 role në skenë e ekran, për 35 vjet me radhë, përjetoi më në fund, edhe dramën e vet vetjake, me fundin tragjik.
Naim Frashëri mbetet një nga aktorët tanë më të shquar të skenës, i vlerësuar, përveç titujve “Artist i popullit” dhe “hero i Punës”, edhe me Çmimin e Republikës kl.I, me titullin e lartë “Nder i Kombit” dhe së fundi edhe me titullin “Qytetar Nderi” i Përmetit. "Politico.al"