Flash News

KRYESORE

A do largohet Lindita Nikolla dhe precedentët Tahiri, Beqaj e Xhafaj

A do largohet Lindita Nikolla dhe precedentët Tahiri, Beqaj e Xhafaj

Në këto pesë vite të qeverisjes, Edi Rama ka treguar se mund të bëjë ‘koka turku’, por me një kusht, asnjëherë kur është momenti i duhur apo kur i kërkohet.

Prej 9 ditësh, Lindita Nikolla, ministrja e Arsimit është duke kaluar momentin më të vështirë të saj që kur është emëruar në këtë pozicion. Studentët kanë bojkotuar auditorët dhe kanë hartuar tetë kërkesa si kusht për t’u rikthyer në Universitete.

Në gjithë këtë situatë, është aluduar disa herë se Nikolla kishte paraqitur dorëheqjen por deri më tani kjo nuk ka rezultuar e vërtetë dhe ajo vijon të jetë ende në detyrë.

Por precedentët e pesë viteve të fundit kanë treguar se në momentin kur duket se e gjitha ka kaluar, ministrat janë larguar nga detyra.

Saimir Tahiri ka qenë në qendër të akuzave për sa kohë ishte në drejtimin e ministrisë të Brendshme, herë për situatën kriminale në vend, herë për kanalizimin e Shqipërisë. Por pavarësisht kësaj, në asnjë moment Rama nuk u lëkund për shkarkimin e tij. Dhe kur dukej se po hynte në ‘ujëra të qeta’, me afrimin e zgjedhjeve, kryeministri vendosi ta shkarkonte.

Po kështu edhe Ilir Beqaj. Pavarësisht akuzave dhe denoncimeve të bëra në kohën kur ai drejtonte ministrinë e Shëndetësisë, Rama vendosi ta largonte nga detyra në momentin që pak kush e priste.

Rasti më i fundit ishte ai i Fatmir Xhafajt. Ky i fundit u vendos në qendër të akuzave për shkak të të vëllait. Si përforcim ndaj akuzave u publikua edhe një audio-përgjim, por Xhafaj i rezistoi të gjithë kësaj. Dhe kur dukej se ai i kishte ‘hedh pas krahëve’ të gjitha këto, Rama njoftoi se ministri i Brendshëm ishte dorëhequr.

A do të ndiqet e njëjta skemë edhe për Lindita Nikollën? Kjo do zbardhet në ditët në vijim.

Të fundit