Flash News

OP-ED

A do ta bënte xhami Shën Sofinë, Profeti Muhamed?

A do ta bënte xhami Shën Sofinë, Profeti Muhamed?

Mustafa Akyol/ The New York Times

Vendimi i fundit i qeverisë turke për ta rikonvertuar madhështoren Hagia Sophia, dikur katedralja më e madhe në botë, nga muze në xhami ka qenë lajm i keq për të krishterët në mbarë botën. Ata përfshijnë Papa Françeskun, i cili tha se "ishte i lënduar" nga ky veprim dhe udhëheqësin shpirtëror të Krishtërimit Lindor, Patriarkun Ekumenik Bartholomew-n, i cili tha se "ishte i trishtuar dhe i tronditur". Në kontrast me gëzimin e muslimanëve konservatorë të Turqisë, e gjithë kjo mund të duket një episod i ri në një histori të vjetër: Islami kundër Krishtërimit.

Por disa muslimanë, përfshirë mua, nuk janë plotësisht të kënaqur me këtë hap historik, dhe për një arsye të mirë: shndërrimi i detyruar i faltoreve, i cili ka ndodhur shumë herë në historinë njerëzore në të gjitha drejtimet, mund të vihet në dyshim edhe nga një pikëpamje thelbësisht islamike.

Për të kuptuar pse, shikoni nga afër Islamin e hershëm, i cili lindi në Arabinë e shekullit të shtatë si një fushatë monoteiste kundër politeizmit. Profeti Muhamed dhe grupi i tij i vogël i besimtarëve i panë monoteistët e mëparshëm – hebrejtë dhe të krishterët - si aleatë. Kështu që kur ata muslimanë të hershëm u persekutuan në Mekën pagane, disa gjetën azil në mbretërinë e krishterë të Etiopisë. Vite më vonë, kur Profeti sundoi Medinën, ai mirëpriti një grup të krishterësh nga qyteti Najran për t’ju lutur Zotit në xhaminë e tij. Ai gjithashtu nënshkroi një traktat me ta, ku thuhet:

“Nuk do të ketë ndërhyrje në praktikën e besimit të tyre. … Asnjë peshkop nuk do të hiqet nga peshkopata e tij, asnjë murg nga manastiri, dhe asnjë prift nga famullia”.

Ky pluralizëm fetar u pasqyrua edhe në Kuran, ku thuhet se Zoti mbron "manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë në të cilat përmendet aq shumë emri i Zotit". (22:40) Eshtë vargu i vetëm në Kuran që përmend kishat - dhe vetëm në një ton përnderues.

Sigurisht, këto prirje teologjike nuk i penguan konfliktet politike. As nuk i ndaluan muslimanët, menjëherë pas ‘kalimit’ të Profetit, nga pushtimi i tokave të krishtera, nga Siria në Spanjë. Megjithatë, pushtuesit e hershëm muslimanë bënë diçka jo të zakonshme në atë kohë: Ata nuk preknin faltoret e popujve të nënshtruar.

Shpirti i Profetit u ilustrua më së miri nga pasardhësi i tij i dytë, ose Kalifi, Umer ibn Al-Khattab, menjëherë pas pushtimit të Jeruzalemit në vitin 637. Qyteti, i cili ishte sunduar nga të krishterët romakë për shekuj, ishte marrë nga muslimanët pas një rrethimi të gjatë dhe të përgjakshëm. Të krishterët kishin frikë nga një masakër, por përkundrazi gjetën aman, ose siguri. Kalifi Umeri, "shërbëtori i Zotit" dhe "komandanti i besimtarëve", u dha atyre siguri "për pronat, kishat dhe kryqet e tyre". Ai më tej siguroi:

"Kishat e tyre nuk do të merren për vendbanim dhe nuk do të prishen ... dhe as nuk do të hiqen kryqet e tyre."

Historiani i krishterë Eutychius madje na thotë se, kur Kalif Umeri hyri në qytet, patriarku i Jeruzalemit, Sophronius, e ftoi atë të lutet në më të shenjtën e të gjitha faltoreve të krishtera: Kishë e Varrit të Shenjtë. Umeri refuzoi me mirësjellje, duke thënë se muslimanët më vonë mund ta marrin këtë si arsye për ta shndërruar kishën në xhami. Në vend të kësaj ai u lut në një zonë të zbrazët që të krishterët e shpërfillnin, por hebrenjtë e nderonin, atëherë si tani, si vendin e tyre më të shenjtë, Mali i Tempullit, ku sot Muri Perëndimor, mbetja e fundit e këtij tempulli të lashtë hebre, ngrihet në majë të malit, mbi të cilën u ndërtuan Xhamia e Umerit dhe Kapela e Shkëmbit.

Me fjalë të tjera, Islami hyri në Jeruzalem pa e konvertuar atë me të vërtetë. Edhe "katër shekuj pas pushtimit të myslimanëve", siç vëren historiani izraelit Oded Peri, "peizazhi urban i Jeruzalemit mbizotërohej ende nga ndërtesat e krishtera publike dhe fetare."

Megjithatë Islami po bëhej feja e një perandorie, e cila, si të gjitha perandoritë, duhej të justifikonte oreksin e saj për hegjemoni. Shumë shpejt, disa juristë gjetën një justifikim për të kapërcyer modelin e Jeruzalemit: Atje, të krishterëve iu dha siguria e plotë, sepse përfundimisht kishin rënë dakord për një dorëzim paqësor. Qytetet që u rezistuan pushtuesve myslimanë, sidoqoftë, ishin fushë e hapur për plaçkitje, skllavërim dhe shndërrim të kishave të tyre.

Sipas fjalëve të studiuesit turk Necmeddin Guney, ky legjitimim i konvertimit të kishave nuk vinte nga Kurani apo shembulli Profetik, por më tepër nga "rregullimi administrativ". Juristët që e mbështesnin këtë rrugë, shton ai, "me siguri po përpiqeshin të krijonin një shoqëri që e bën të qartë epërsinë e Islamit në një epokë të luftërave fetare."

Një studiues tjetër, Fred Donner, një ekspert i Islamit të hershëm, argumenton se kjo lëvizje politike madje shtrembëroi të dhënat e gjendjes së mëparshme. Për shembull, versionet e mëvonshme të amanit të dhënë për të krishterët e Damaskut u lejonin muslimanëve "gjysmën e shtëpive dhe kishave të tyre". Në versionin e hershëm të dokumentit, nuk kishte një klauzolë të tillë.

Kur Osmanët arritën në portat e Kostandinopojës në 1453, qëndrimet islamike ishin imperializuar prej kohësh, dhe gjithashtu ishin forcuar përballë konflikteve të pafund me kryqtarët. Duke përdorur një licensë të diskutueshme të shkollës së jurisprudencës Hanefi, ata konvertuan Hagia Sophia-n dhe disa kisha të tjera të mëdha. Por ata bënë edhe gjëra të tjera që përfaqësojnë vlerat më të mira të Islamit: Ata i dhanë mbrojtje të plotë jo vetëm grekëve, por edhe të krishterëve armenë, rindërtuan Stambollin si një qytet kozmopolit, dhe së shpejti gjithashtu mirëpritën hebrenjtë spanjollë që po largoheshin nga Inkuizicioni Katolik.

Sot, shekuj më vonë, pyetja për Turqinë është se cili aspekt i kësaj trashëgimie komplekse osmane është me të vërtetë më i vlefshëm.

Për konservatorët fetarë që janë mbledhur pas Presidentit Rexhep Tajip Erdogan në dy dekadat e fundit, përgjigjja kryesore duket se është lavdia perandorake e mishëruar në një sundimtar absolut.

Sidoqoftë, për turqit e tjerë, madhështia e osmanëve qëndron në pluralizmin e tyre, të rrënjosur në zemrën e Islamit, dhe kjo do të frymëzonte lëvizje të ndryshme sot - mbase hapja e Hagia Sofisë si për adhurimin mysliman ashtu edhe për atë të krishterë, siç kam këshilluar me vite. Një tjetër do të ishte rihapja e Seminarit Halki, një shkollë e krishterë e teologjisë që u hap në 1844 nën kujdesin osman, dhe u bë viktimë e nacionalizmit laik në 1971, por është ende e mbyllur pavarësisht nga të gjitha thirrjet e avokatëve të lirive fetare.

Për botën më të gjerë myslimane, Hagia Sophia është kujtesë se tradita jonë përfshin si besimin dhe vlerat tona të përhershme, ashtu edhe trashëgiminë e imperializmit. Kjo e fundit është një fakt i hidhur i historisë, si imperializmi apo nacionalizmi i krishterë, të cilët kanë synuar xhamitë tona dhe madje edhe jetën - nga Kordoba në Srebrenicë. Por sot, ne duhet të përpiqemi të shërojmë plagë të tilla të së kaluarës, jo të hapim të reja.

Pra, nëse ne muslimanët me të vërtetë dëshirojmë të rigjallërojmë diçka nga e kaluara, le të përqendrohemi në modelin e iniciuar nga Profeti dhe të zbatuar nga Kalif Umeri. Kjo do të thotë që asnjë faltore nuk duhet të shndërrohet - ose të rishndërrohet. Duhet të respektohen të gjitha traditat fetare. Dhe madhështia e tolerancës duhet të kapërcejë fuqinë e supremacizmit.

*Mustafa Akyol, është autor kontribues në NYT, dhe studiues senjor i Islamit dhe modernitetit  pranë Cato Institute. Gjithashtu  autor i librit në proces botimi “Reopening Muslim Minds: A Return to Reason, Freedom, and Tolerance.”

**Përkthimi: Politiko.al

Të fundit