Flash News

KRYESORE

A do të jetë funksionale Gjykata Kushtetuese më 1 Janar ?

A do të jetë funksionale Gjykata Kushtetuese më 1 Janar ?

Teksa institucionet e reja të drejtësisë pak nga pak po marrin formë, ajo që është ende larg formësimit është Gjykata Kushtetuese.

Procesi i vetingut rrëzoi 8 nga 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nga viti 2015, duke e nxjerrë jashtë funksionit gjykatën më të rëndësishme në vend. Kështu, nga 9 anëtarë që kishte me fillimin e kësaj reforme, ajo tashmë ka 4 anëtarë dhe, madje, njërit prej tyre i ka mbaruar mandati.

Aktualisht, “Gardiani i Kushtetutës dhe ligjshmërisë” në vend, ka vetëm 4 anëtarë, Vitore Tusha, Elsa Toska, Fiona Papajorgji dhe Marsida Xhaferllari, të zgjedhur nga Kuvendi dhe presidenti, ndërsa Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është duke ndjekur procedurën për përzgjedhjen edhe të tre anëtarëve të tjerë. Por procesi përzgjedhjes, edhe për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme nga COVID-19 ngeci prej muajsh.

Mosfunksionimi i saj ka futur në një "luftë të ftohtë" Presidentin e Republikës dhe Qeverinë, për shumë çështje, ku më kryesoret janë zgjedhjet lokale të 30 qershorit dhe çështje e Teatrit Kombëtar.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi apeloi të hënën nga foltorja e Kuvendit se nuk do të falë asnjë vonesë duke u shprehur i prerë se më 1 janar, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të kenë filluar punën.

"Pas takimit me Presidentin e Republikës me 30 qershor, i kërkova  KED-it me një letër përshpejtimin e procedurave të verifikimit të kandidatëve  që  Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale  për  vendim-marrje, të cilat kërkojnë  të paktën  6 anëtarë.

KED-i, pas miratimit të amendamenteve mbi procedurën e verifikimit, vlerësimit, pikëzimit e renditjes së kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese, vendosi ndalimin e kandidimit për  kandidatët për dy vendet vakante të shpallura nga Kuvendi e Presidenti i Republikës. KED-it iu desh gati një vit të shqyrtonte dy kandidatura! Me këto vonesa të zgjatura, tashme kupa ka filluar të derdhet dhe ky shpërpjestim midis investimit të Kuvendit dhe investimit institucional të një pjese të organeve të reja të sistemit, nuk do të tolerohet më. Edhe pse Kuvendi ka hapësira të kufizuara për të nxituar organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre, nuk do të falim asnjë vonesë.

Brenda këtij sesioni, me hir ose me pahir, Gjykata Kushtetuese do të bëhet funksionale. Më 1 janar 2021 gjyqtarët e rinj kushtetues do të kenë filluar nga puna. Çdo institucion i shtetit, i përfshirë në këtë proces, ta lexoj qartë këtë apel të Kuvendit!" tha Ruçi.

Por, formësimi i Gjykatës Kushtetuese duket ende larg dhe me 4 anëtarë është e pamundur marrja e një vendimi. Në mbledhjen e 17 korrikut, KED-ja nuk arriti të kualifikojë asnjë nga kandidatët.

Tre kandidatë, mes tyre Klodian Rado, Prel Martini dhe Envi Hicka, u tërhoqën nga gara, e cila kishte nisur që prej muajit shtator të vitit të kaluar. Pas filtrimit të emrave që garonin për të plotësuar vakancat, KED-ja skualifikoi 6 nga kandidatët, pasi nuk i përmbushnin kushtet ligjore, çka e bllokon pa afat nisjen e funksionimit të gjykatës kryesore në vend. Tre anëtarët e fundit në Gjykatën Kushtetuese duhet të zgjidhen nga Gjykatata e Lartë.

Problemi kryesor për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese duket se është mungesa e kandidatëve. Ngritja e Kushtetueses është kërkuar dhe kërkohet me ngulm edhe nga ndërkombëtarët, ku vlen të theksohet se është dhe një ndër kushtet e vendosura nga Bundestagu Gjerman për hapjen e negociatave.

Të fundit