A do të jetë në tubimin e thirrur nga presidenti në 2 mars? Kryemadhi sqaron qëndrimin e LSI (ish-partinë e drejtuar nga Meta)

Kryetarja e LSI, Monika kryemadhi ka sqaruar qëndrimin e forcës politike që drejton lidhur me thirrjen e presidentit Ilir Meta për tubim në 2 mars.

Sipas Kryemadhit gjatë një takimi me strukturat në Shkodër, LSI do të marrë pjesë në 2 mars në tubim për disa arsye.

“Në 2 mars, unë do të marr pjesë si qytetare, jo se jam me Ilir Metën, se Ilir Meta me tolerancën e tij dhe me besimin që pati në Partinë Socialiste nuk u tregua i vëmendshëm për të mos lejuar këtë kapje të të gjithë sistemit, nga Parlamenti, qeveria, ekonomia e çdo gjë tjetër me radhë. Por unë do të jem në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në 2 mars si një nënë që fëmijët e saj do ti shikojë në shtëpi. Do të jem si një bashkëshorte që do të jetojë e qetë vitet që i kanë mbetur në familjen e saj. Do të jem si një bijë që do të garantojë shërbim ndaj prindërve të saj që janë pensionistë dhe që pensioni nuk u del as për ilaçe, dhe jo më të paguajnë drita, ujë, të vishen, të mbathen dhe të ushqehen. Do të jem si një motër, të cilën ka vëllain e saj të pa punë dhe që bën gati plaçkat për të ikur emigrant, sepse çdo ditë edhe më shumë ditët tona ngushtohen.

Do të jem si një amvisë që paguan 2fish faturat e energjisë elektrike, harxhon ilaç rrobash në para 2fish për të njëjtën sasi, harxhon para për të njëjtën sasi për ushqim gjysmën e saj që ka konsumuar 6 vite më parë dhe do të jem si një shtetase Shqiptare që i merret shpirti shtetit tim çdo ditë edhe më shumë me taksa të larta dhe taksat tona absolutisht nuk shkojnë as për rrugët e shqiptarëve, as për ujin e shqiptarëve, as për shkollat e shqiptarëve, por përkundrazi shkojnë për fytyrën e nxirë të qeverisë së rilindjes e cila instaloi regjimin kriminal.

Prandaj 2 marsi unë do ta shikoj si një pjesëmarrje të thjeshtë, do ta shikojë për të gjithë ata prindër që vajzat e tyre ndihen të rrezikuara nga profesorët perversë të rilindjes që kanë zaptuar dhe kanë pushtuar shkollat tona. Unë 2 marsin do ta shikoj si çdo pensionist që bëjini llogaritë të gjithë vet sot ju sepse kemi shumë pensionistë sot këtu. Sa para ju është rritur pensioni në këto 6 vjet, o 1 mijë leke të vjetra, o 2 mijë lekë të vjetra në bazë të indeksit. Po sa u janë rritur taksat tuaja 10fish më shumë se sa është rritur pensioni. Do të marr pjesë si çdo i pa punë që ka humbur vendin e punës, do të marrë pjesë si çdo student që ju premtua para një viti që do të përgjysmojmë tarifat, do të rregullojmë kushtet e konvikteve por përkundrazi tarifat janë po të njëjtat, konviktet janë më të degraduara dhe pasiguria është çdo ditë më e madhe”, thotë Kryemadhi.

Kujtojmë se deri tani kanë konfirmuar se do jenë pjesë e tubimit PAA e Agron Dukës, ndërsa PD ende nuk ka dalë me një qëndrim konkret.