A do të kërkojë PS shkarkimin e Metës, fjalët paralajmëruese të Ramës: Do t’i japim ca ditë kohë, pastaj do hedhim hapin tjetër

Për afro 26 minuta, kryeministri Edi Rama foli në foltoren e Kuvendit sa i takon asaj që cilësohet si çështja ‘Lleshi’. Në një fjalim ku në shënjestër ishte Presidenti, pas refuzimit që i bëri dekretit, nuk munguan as fjalët paralajmëruese.

Rama tha se nuk e ka humbur besimin se Presidenti nuk e ka thënë fjalën e fundit për këtë çështje edhe pse pranoi se tashmë ka një krisje mes qeverisë dhe Presidencës, por uroi që kjo të mos shkojë deri në thyerje.

Koha më ka mësuar që unë të mos e them fjalën e fundit të parën, tha Rama teksa e mbylli fjalën duke nënvizuar se do t’i japi edhe ca ditë kohë Presidentit që ta bluajë këtë çështje, por edhe mazhroancës për të bërë hapin e radhës, por pa dhënë detaje se për çfarë hapi bëhet fjalë.

“Unë vetë nuk e kam humbur besimin se Presidenti i Republikës nuk e ka thënë akoma fjalën e fundit mbi këtë temë edhe pse afati ka skaduar.

Krisja në këtë rast nuk është personale, as politike, krisja është kushtetuese dhe ne që jemi këtu, mishërimi i vullnetit të popullit sovran mes dy raundeve zgjedhore do bëjmë çmos, në radhë të parë për ta ngjitur. Uroj që të gjejmë dhe nga ana e Presidentit të Republikës dëshirën dhe durimin për të mos e çuar krisjen në thyerje që sigurisht nuk do jetë fundi i botës por patjetër është në të mirën e vendit dhe të të gjithëve bashkë që ta shmangim, dhe është e shmangshme.

Koha më ka mësuar që unë të mos e them fjalën e fundit të parën dhe vendi më ka mësuar që ta respektoj radhën e lëvizjeve.

Sot le të votojmë shkrimin e Fatmir Xhafajt, të cilin e falënderoj edhe një herë për kontributin që dha, më pas do të vendosim në qeveri ministrin e Brendshëm të refuzuar nga Presidenti për dekretim, natyrisht në drejtimin e ministrisë së Brendshme si zëvendësministër, dhe do ti japim ca ditë kohë jo vetëm Presidentit të Republikës që ta bluajë këtë çështje dhe për të punuar për të krijuar bindje të plotë, po dhe vetes për të hedhur hapin tjetër”, u shpreh Rama.