Flash News

KRYESORE

A e ka mbështetur PD Reformën në Drejtësi? Pesë argumenta që tregojnë të kundërtën

A e ka mbështetur PD Reformën në Drejtësi? Pesë

Instituti i Studimeve Politike në një raport lidhur me reformën në drejtësi ka shtruar pesë argumente që tregojnë se PD nuk është pro reformës në drejtësi.

“Sjellja e opozitës politike ndaj reformës në drejtësi është vijim i sjelljes së saj ndaj një sërë vendimesh të rëndësishme të marra vitet e fundit në Shqipëri. Ajo gaboi kur bojkotoi reformën administrative apo zgjedhore dhe gjithashtu gaboi kur e konsideroi reformën në drejtësi si akt të njëanshëm të qeverisë dhe të mazhorancës. Mbështetja e saj për ndryshimet kushtetuese 2016 ishte më shumë produkt i presionit ndërkombëtar sesa tregues i vetëdijes për rëndësinë dhe vlerën e reformës”-shkruhet në studimin e ISP.

Më poshtë pesë argumentat e ISP për Partinë Demokratike dhe Reformën në Drejtësi

  1. Opozita thekson vazhdimisht se institucionet e reja të drejtësisë po kapen nga qeveria dhe mbështetësit e saj. Ajo e konsideron vettingun jo profesional dhe krijon idenë absurde se një skenar ndërkombëtar i mbështetur nga një kritik i Presidentit aktual amerikan, është duke u aplikuar në Shqipëri. Kjo ka bërë që opozita të mos arrijë të dallojë zhvillimet e rëndësishme të reformës nga defektet e saj, dhe të ketë të njëjtën qasje kritike “en bloc” ndaj reformës. Për shembull, opozita nuk ka përshëndetur zyrtarisht dhe publikisht asnjë rast të vetëm të shkarkimit të ndonjë gjyqtari apo prokurori nga vettingu, as në rastet më flagrante të provave për korrupsion apo paaftësi.
  2. Opozita nuk ka sjellë fakte publike se mazhoranca është duke kontrolluar reformën apo është duke e dirigjuar atë. Për më tepër, duke e konsideruar tezën e saj si të qenësishme ajo ka bërë më pak denoncime në prokurori e gjykatë gjatë viteve 2018 - 2019 sesa gjatë viteve të parë të kalimit në opozitë 2013-2014. Frika politike se suksesi i reformës do të mund të konsiderohet sukses politik i mazhorancës ka ndikuar në këtë qëndrim, pa arritur të bëjë dallimin midis krediteve dhe kostove që merr mazhoranca për shkak të skandaleve të shumta, të cilat sado që shtyhen përsëri mbeten lëndë e parë për hetime të mëtejshme pas krijimit të SPAK.
  3. Opozita ndjehet e frustruar dhe e përjashtuar nga procesi i vendimmarrjeve të rëndësishme për reformën në drejtësi, por në fakt, individët e mbështetur prej saj gjatë kohës së konsensusit politik 2017 apo gjatë aplikimeve të ndryshme për postet e reja në institucionet e reja të drejtësisë nuk kanë ndonjë cilësi profesionale të admirueshme madje shpesh as të konkurueshme. Në politikë sulmi ndaj një modeli të gabuar duhet shoqëruar me ofrimin e një modeli të ri më të mirë, tezë që opozita as nuk e ka realizuar dhe as nuk është investuar.
  4. Një numër personash që realizojnë ligjërimin publik të opozitës për reformën në drejtësi janë vetë në konflikt interesi, pasi kanë qenë pjesë e strukturave përgjegjëse, palë në procese gjyqësore, objekt hetimi ose kandidatë për postet e reja në sistemin e drejtësisë. Edhe në nivelet më të larta politike, figura me rëndësi që atakojnë reformën në drejtësi janë gjithashtu në konflikt interesi politik pasi gjatë viteve kanë qenë mbështetës të fortë të disa prej subjekteve të shkarkuara me prova korrupsioni apo tregues të dukshëm negativ në integritet / anën profesionale.
  5. Së fundi, mungesa e opozitës në parlament dhe aksioni i saj politik ka lënë shteg të hapur për kritikët e saj, shqiptarë apo ndërkombëtarë, të krijojnë idenë se opozita është radikalizuar për shkak të reformës në drejtësi, me qëllim pengimin e saj apo pamundësimin e suksesit të saj. Në fakt, gjatë bojkotit 2018 dhe 2019 nuk ka pasur ndonjë vendim me rëndësi në parlament ku kërkohej konsensusi i opozitës dhe qenia e opozitës në parlament lidhet me stabilitetin e funksionalitetin e shtetit, jo me ecurinë e reformës në drejtësi. E kundërta, mos pjesëmarrja aktive në parlament ka ndihmuar mazhorancën të veprojë lirshëm dhe pa dhënie llogarie në çdo vendim që lidhet direkt apo indirekt me reformën në drejtësi.

Të fundit