Flash News
Atentat në Memaliaj, qëllohet me breshëri arme avokati
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
A e magjepsi Rama Parisin? Babaramo: Parisi nuk magjepset nga Pikaso. Xhunga: Ornela Vorpsi solli dritë në kacafytjet tona
Pas deklaratës së shkrimtares Ornela Vorpsi se 'Edi Rama ka magjepsur Parisin', ka patur shumë reagime, jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe ndër gazetarët të njohur. Një prej tyre, Ilir Babaramo që drejton emisionin politik në Report TV, me një status në Facebook, e ka quajtur 'dozë elefanti' thënien e Vorpsit.
Krejt të kundërtën mendon gazetarja Rudina Xhunga. Në dritare.net që ajo drejton, ka botuar një shkrim ku komplimenton shkrimarten Vorpsi dhe lirshmërinë që ajo solli në një ambjent të zymtë si Tirana.
Shkrimi i Rudina Xhungës:
Ornela Vorpsi ishte kryelajmi i Tiranës, të një të mërkure plot lajme.
Një grua e bukur u kthyer në vendlindje dhe sfidoi me sharmin, delikatesën, vetëbesimin dhe fismërinë e saj, banalitetin e një tufe burrash të pakënaqur, që nuk po ngrenë dot kokë, nga kacafytja në të shara e përgojime.
Ajo vajza e një Tirane tjetër, tregoi se ka një mënyrë ndryshe, për ta dëshmuar të kaluarën, veç kësaj mënyrës histerike që po jetojmë, është ai tregimi me kokën para, kokën lart, tregimi i së kaluarës , duke parë nga e ardhmja.
Ornela Vorpsi ka një jetë të tërë për të rrëfyer, një jetë prej vajze familjeje të prekur, siç quheshin familjet që regjimi iu vinte shenjë në dosje dhe në jetë.
Dhe Ornela i ka treguar të gjitha, çfarë mban mend dhe kujton se mban mend në italisht, siç i ka ardhur, në gjuhën e vendit përballë.
Mbase se në shqip nuk i themi dot të gjitha, se gjuha jote, ca sekrete t’i mban peng.
Ornela ka vite që jeton jashtë, punon, ekspozon, boton, është qytetare bote.
Por erdhi mbrëmë me modestinë e një gruaje të pjekur, që nuk i fshihet të kaluarës, as i bërtet të tashmes.
Kush jeton bukur, nuk ka nevojë ta bërtasë dhe nuk ka gjë për të fshehur, thjesht tregon.
Siç tregon Ornela, lirshëm në libër, piktura dhe intervista, kudo shkon, ekspozon, boton, performon, si e preferuara e salloneve të artit të mirë.
Tregon Shqipërinë sipas saj, vendin ku nuk vdes kurrë.
Kështu bëri edhe mbrëmë, erdhi dhe falënderoi vendin e saj që po e priste me një ceremoni zyrtare.
Ornela me të zeza, dje ishte ylli i kësaj zymtësie gri që përcjell Tirana e saj, 27 vjet pasi e la pas.
Tirana, tani po kalon një tjetër tranzicion, jo më atë të varfërisë materiale, të post ‘91, por të bllokimit dhe zbrazjes nga vlerat. Është tranzicion edhe më i rëndë.
Tani askush nuk flet më për art, por për para.
Epo paratë nuk mjaftojnë kurrë, ndaj dje, dikujt iu duk se iu fut në pjesë edhe Ornela, dikush u ndje i mjerë, dikush i jargavitur, dikush i qëndisi fletërrufe, si ato që ajo nuk i ka harruar nga fëmijëria.
Sepse Ornela Vorpsi është e madhe për botën tonë të vogël, jo pse është e bukur, jo pse është artiste ndërkombëtare, por sepse nuk është hakmarrëse.
Ajo solli dritë në kacafytjet tona, jo për ideologji, bindje, lavdi e mëri, por vetëm për para. Me atë mënyrën e saj të pastisur.
Ornela Vorpsi ia doli prapë ta sfidojë edhe njëherë Tironën, duke i treguar një tjetër mënyrë për të dëshmuar dhimbjet e së kaluarës, me buzëqeshje, ironi, vetëpërmbajtje, dinjitet dhe lakuriq. Si çdo artist dhe njeri që nuk fshihet, as fsheh.
Ky ishte lajmi dje, jo që Ornela kishte pas dashur Ramën.
Statusi i Ilir Babaramos:
Ornela Vorpsi më rëndë se teto Polikseni
Të gjithë portalet dhe ekranet e kontrolluara nga Edi Rama u përmbytën nga përroi psiqik I një farë Ornela Vorpsi. Askush nuk e di se me cfarë mjetesh jeton kjo emigrante e kahershme, ndërkohë që propagandistët e kryeministrisë e shitën si një shkrimtare të famshme. Kishim dëgjuar për VKM të gjithëfarsojshme por se mund të dekretohesh shkrimtar, ca më tepër I shquar nga zyra e qeverisë, nuk na kishte shkuar mendja.
Dy gjëra më ngelën në mendje. E para : e sipërmendura rrëfente eksitimin e saj për Edi Ramën të pashuar ende dhe pas 30 vjetësh. Gati të gjithëve ky lajm nuk mund tu bëjë përshtypje sepse në portalet shqiptare kërcënimi i Donald Trump që do bombardojë Sirinë fqinjëron me ngjarjen që në plazh një fanse u turr që të puthte Shpat Kasapin.
E dyta që më ngeli si gozhdë e ngulur në tru nga “rrëfimi” është fjalia : Edi Rama magjepsi me artin e tij Parisin. Unë nuk hyj tek ata që besojnë se Rama ka jetuar si clochard diku në një cep të Rive Gauche dhe as që për të mbajtur frymën shiste vizatime pesë euro copa mes Pont neuf dhe Pont des arts. Por që të thuash “magjepsi Parisin” është më shumë se dozë elefanti, që nuk mund ta shtysh as duke pirë katër shishe verë 500 euroshe. Sepse dhe militantja më e thekur e Rilindjes e di që aktualisht Parisi nuk çuditet jo më të magjepset nga një ekspozitë me veprat më të zgjedhura të Pikasos.
Ajo që është jo vetëm për tu shqetësuar , por dhe për tia dhënë ulërimës nuk është se cfarë ndodhi , por ku ndodhi. Do ishte normale që rrëfimin e saj kjo fatkeqe ta kishte bërë në një divan psikanalisti. Por nuk ndodhi kështu. Rrëfimin e saj ajo e bëri në selinë e qeverisë shqiptare, në ambientet e katit të parë. Fiks poshtë zyrës së kryeministrit , kjo fatkeqe bëri këtë shfaqe para kamerave të thirrura nga zyra e PR të kryeministrisë.
Pak vetë e dinë se gjithë kati I parë i selisë së qeverisë shqiptare është ndarë në dy pjesë. Gjysma është dhënë me PPP një miku të kryeministrit që e ka kthyer në gjelltore, ndërsa gjysma tjetër në një me demek ekspozitë që më shumë si e tillë ngjan me servisin e Çetit në autostradë. Kjo hapësirë shërben si vend spiritizmi si kjo e fundit apo ajo për përkujtimin e Kaso Trebeshinës. Ajo që është tronditëse është fakti se selia e kryeministrisë dhe stafi I tij përdoren si dekor për një delir dhe mitomani të tillë.
PS. Rrëfimi I zonjës në fjalë më kujtoi një dokumëntar të TVSH me teto Poliksenin në Korçë, e cila I tregonte gazetares : ja këtu rrinte Enveri, kjo është tavlla e tij e cigareve, ky filxhan I tij I kafesë. Për të qenë I sinqertë deri në fund, teto Polikseni në asnjë çastë nuk tha se Enveri “magjepsi” Korçën. Prandaj kjo e Ramës që “magjepsi Parisin” ishte një dozë elefanti për opinionin publik.