Flash News

KRYESORE

A e shpërndan dot Meta Parlamentin? Po Rama ia ‘përfill’ dekretin?

A e shpërndan dot Meta Parlamentin? Po Rama ia ‘përfill’

Presidenti Ilir Meta bëri sot një paralajmërim shumë të fortë. Ai bëri ‘premtimin’ e madh para shqiptarëve që ishin mbledhur në  “Dëshmorët e Kombit” se nëse mazhoranca nuk e merr në konsideratë  dekretin që firmosi sonte për ndryshimin e ligjit për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, do të firmosë dekretin për shpërndarjen e Parlamentit në mes të Parlamentit, pas 15 marsit.

Fakt është që Meta e konsideron jo legjitim Kuvendin aktual, madje së fundmi e ka quajtur edhe ‘Kuvend puçist’. Por sa ligjore dhe kushtetuese do të mund të ishte një sipërmarrje e tillë nga ana e Presidenti, pra shpërndarja e Parlamentit dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme.

Për të parë se ç’ndodh do na duhet ta lexojmë Kushtetutën në dy forma, në germë dhe në frymë.

Kushtetuta parashikon në germe, vetëm 2  raste kur presidenti mund  të shpërndaje kuvendin dhe bëhet fjalë për nenin 96 dhe nenin 104.

I pari thotë se Presidenti mund ta shpërndaje Parlamentin nëse ky i fundit dështon të zgjedhë kryeministrin e ri.

Ndërkohë që neni 104 thekson se në rast se Kryeministri i paraqet Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave dhe ky mocion votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, atëherë Kryeministri, brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit.

Tani analiza e dytë, ajo në frymë e Kushtetutës. Parlamenti i sotëm ka vetëm 123 deputetë ndërkohë që Kushtetuta e thotë qartë në nenin 64 pika 1: “Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore”. Ndaj edhe Meta shpesh i referohet si Parlament ilegjitim. Pra 17 deputetë mungojnë dhe shqiptarët nuk janë të përfaqësuar plotësisht. Të paktën kjo është logjika e Presidentit.

Për këtë argument ka shumë debate. E vështirë të gjendet një arsyetim shterues, sidomos në kushtet ku ndodhet vendi me mungesë totale të Gjykatës Kushtetuese.

Një vendim i Metës për shpërndarje të Kuvendit për këtë arsye do të krijonte një precedent shumë të rrezikshëm. Çdo opozitë e nesërme sa herë që do të kërkonte zgjedhje të parakohshme, që ccdo opozitë në botë e dëshiron, mjafton të dilte nga Parlamenti dhe ai shpërndahej.  E vërteta është që parlamenti nuk i ka 140 deputetë por ka mjaftueshëm të tillë për të qenë funksional dhe për të marrë vendime. Po atëherë pse Kushtetua e ka të përcaktuar qartë me numër, që janë 140? Debati vazhdon.

Por edhe nëse pas 15 marsit Ilir Meta futet “në parlamentin ilegjitim dhe puçist, bashkë me popullin” dhe firmos dekretin për shpërndarje të institucionit më të rëndësishëm në vend, çfarë do të bënte mazhoranca në këtë rast?

Do të dilnin qetë -qetë nga salla dhe do të respektonin vendimin e Presidentit? E vërteta është që nuk është se ia kanë ‘përfillur’ shumë dekretet Metës këto kohë. 'Zgjedhjet e pazhvilluara' të 10 tetorit janë dëshmia më e qartë.  Dhe serish te ‘thembra e Akilit’, mungesa e Gjykatës Kushtetuese.

“Asnjë vend nuk do t’ia lejonte vetes të rrinte qoftë edhe një orë pa Gjykatë Kushtetuese”, tha Meta sot në fjalimin e mbajtur në bulevard. Dhe Shqipëria ka plot dy vite pa një të tillë.

Të fundit