Flash News

OP-ED

A e 'vrau' koronavirusi antarësimin në BE të Ballkanit?

A e 'vrau' koronavirusi antarësimin në BE të Ballkanit?

Agustin Palokaj/ Jutarnji List

Sikur të mos ishte koronavirusi, me 6 dhe 7 maj në Zagreb do të mbahej samiti më i madh gjatë kryesimit gjashtëmujor kroat të BE-së. Do të ishte një mbledhje e liderëve të 27 vendeve antare të Bashkimit Europian dhe të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, me aktivitete shoqëruese në Zagreb që do t’i organizonin shoqatat joqeveritare, fondacionet, bashkësitë e biznesit...

Ky grumbullim do të ishte në njëfarë mënyre kujtesë për Samitin e Zagrebit të para njëzet vitesh kur shteteve të rajonit, me mesazhin se “janë mundur forcat e errëta të së kaluarës“ (duke patur parasysh kryesisht dështimin e Sllobodan Millosheviçit në Serbi), i’u hap perspektiva e integrimit në BE, krahas shpjegimit të kushteve që ishin kombinim i kritereve që kërkonte Bashkimi Europian, bashkëpunimi në rajon dhe ballafaqimi me të kaluarën nëpërmjet bashkëpunimit me Gjykatën e Hagës.

Një shikim i faqeve të Jutarnji List-it të asaj kohe tregon se kjo ishte një ngjarje e madhe me jehonë të madhe. Ishte një samit i cili pa dyshim hapi një faqe të re në historinë e tërë Europës. Sepse, pjesa tjetër e Europës atëbotë ishte në procedurë për integrim në Union, gjë që do të thoshte bashkimi përsëri i Europës, ndërsa shtetet e Ballkanit Perëndimor prisnin para dyerve. Ishte koha e besimit dhe e shpresës te BE-ja. Zgjerimi i BE-së ishte atëbotë politika më popullore.

Samiti i Zagrebit, ashtu siç e kishte ideuar presidenca kroate e BE-së, duhej të ishte  një rast i mirë për një impuls të ri në procesin e zgjerimit.

Për shkak të krizës së shkaktuar nga koronavirusi ky samit nuk do të mbahet, por do të zhvillohet një videokonferencë e liderëve të 27 vendeve antare të BE-së dhe “partnerëve” nga Ballkani Perëndimor. Pas kësaj videokonference do të miratohet Deklarata e përbashkët. Edhe përmbajtja e kësaj deklarate, nëse gjykohet sipas draftit të cilin  Jutarnji Listi pati mundësi ta shihte, flet për faktin se është hequr dorë nga ambicja, ose më mirë të themi sesi koronavirusi i vrau ambicjet. Askund nuk përmendet integrimi në BE apo antarësimi si synim përfundimtar.

Në tërë tekstin përmendet “perspektiva europiane”, ose “rruga europiane”, por jo edhe “zgjerimi” apo “antarësimi në BE”. Një pjesë e mirë e deklaratës së përbashkët që BE-ja i ka dhënë deri tani shteteve në rajon është e lidhur me koronavirusin. Përmendet edhe ndihma që BE-ja i ka dhënë deri tani shteteve në rajon, ndihmat dhe investimet që do të ofrojë BE-ja në të ardhmen. Theksohet nevoja e vazhdimit të bashkëpunimit rajonal që është treguar i mirë edhe gjatë përballjes me pandeminë.

Nuk është pa rëndësi që BE-ja përsërit “padyshueshmërinë” e angazhimit për “perspektivën europiane” të partnerëve në rajon, por nuk është pa rëndësi edhe fakti se nuk figuron shprehja “integrimi në BE”, apo “rruga drejt antarësimit në BE”. Nuk është e rastit se kjo është anashkaluar sepse disa antarë me rëndësi të BE-së, para të gjithave Franca dhe Hollanda, nuk duan në përgjithësi ndërmarrjen e kurrfarë detyrimi të BE-së rreth zgjerimit të ardhshëm.

Ka rëndësi që BE-ja përsërit sesi është vendimtare për shtetet e rajonit lufta kundër korrupsionit dhe e kriminalitetit të organizuar, se për këtë duhen dhënë edhe fakte konkrete. Me rëndësi është edhe përsëritja e nevojës për respektimin e “vlerave europiane” dhe “standardeve europiane”, në mënyrë të veçantë në lidhje me çështjen e shtetit të së drejtës.

Por kjo Deklaratë e përbashkët është madje edhe më pak sesa ajo që  pati premtuar BE-ja në samitin e Zagrebit para 20 vitesh kur u përdorën shprehje të qarta për antarsimin në BE.

Situata tani është rrënjësisht ndryshe. Ndër të gjithë shtetet e rajonit vetëm Kroacia arriti të përmbyllë një cikël të tërë që nga Samiti i Zagrebit, nëpërmjet Marrëveshjes për Asocim Stabilizim, të kalojë nga statusi i kandidatit në antarsimin e plotë, madje edhe deri në atë që ndodh tani, 20 vjet më vonë të ketë edhe kryesimin, sipas rotacionit, të Unionit.

Ka patur lëvizje edhe nga ana e shteteve të tjera të rajonit. Dy prej tyre, Mali i Zi dhe Serbia, janë në procesin e bisedimeve për antarsim. Dy të tjera, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, morën përfundimisht vendimin e BE-së për hapjen e bisedimeve, gjë që është edhe meritë e madhe e Kroacisë e cila është angazhuar ndjeshëm për këtë. Por dy shtete të tjera, Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova, janë ende larg.

Bosnjë e Hercegovina ka dorëzuar kërkesën për antarësim, por ende nuk ka marrë mendim pozitiv mbi statusin e kandidatit. Kosova nuk njihet nga pesë shtete antare të BE-së dhe për këtë e ka të vështorë të aplikojë për antarësim. Dhe pikërisht për Kosovën, askund në tekst nuk përmenden “shtetet” e rajonit, vetëm “partnerët”.

Por, tërë ky krahasim është tejet pak në krahasim me vitet që kanë kaluar dhe pritmëritë për këta 20 vite. Kjo pritmëri ka patur ndikim edhe në rajon. Në Serbi janë në pushtet ish bashkëpuntorët e Sllobodan Millosheviçit megjithëse ata sot mbështetin integrimin në BE. Në shtete e tjera ekzistojnë probleme serioze me shtetin e së drejtës, reformën e gjyqësorit.

Por nga ana tjetër, as BE dhe as vlerat europianë nuk janë siç kanë qënë dikur. Tani edhe disa shtete të BE-së kanë vetë probleme me shtetin e së drejtës. Sikur ato të ishin sot kandidate, ndoshta nuk kishin për t’u pranuar në BE. Sipas organizatës Reporterët pa kufinj, gjendja e lirisë së mediave në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë është më e mirë sesa në disa shtete të BE-së, për shembull Hungarisë dhe Bullgarisë. Për këtë edhe në BE është më vështirë sesa para 20 vjetëve të ndihmohen të tjerët për arritjen e standardeve që deri tani brenda vetë BE-së janë të kërcënuara.

Kësisoj edhe kjo videokonferencë samit BE-Ballkani Perëndimor do të jetë vetëm njëra syresh, nga e cila do të dërgohen mesazhe të vakëta që përsëriten prej vitesh, por pa ndonjëfarë ambicjesh të mëdha rreth ndonjëfarë kthese në procesin e zgjerimit të BE-së. Ndoshta situata do të jetë më e mirë pas 20 vitesh, kur të përkujtohet 40 vjetori i samitit të Zagrebit.

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

Të fundit