Flash News

OP-ED

A është kthyer Edi Rama në Robert Çamçakëzin e samiteve ndërkombëtare? 

A është kthyer Edi Rama në Robert Çamçakëzin e

Gent Gaba

Ditët e fundit kanë qenë ndërkombëtarisht të ngarkuara për kryeministrin Edi Rama. Pas Samitit për Ballkanin, të mbajtur në Britaninë e Madhe, ku klimaksin e prezencës së tij e arriti nëpërmjet përdorimit të atleteve; prej dy ditësh ndodhet në Bruksel, ku po zhvillohet Samiti i NATOS.

Takime të tilla kanë një relevancë specifike për pjesëmarrësit, sigurisht diçka që shkon përkrah me dimensionin e shtetit dhe historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të ndërtuara ndër vite. Kritere nga të cilat është e vështirë të shpëtosh; kësodore, për një vend si i yni, samitet janë të rëndësishme për të zhvilluar një diplomaci disi asimetrike. Duke maksimizuar faktorë si natyra e nevojave të komunitetit të shteteve në momente të caktuara historike, dhe sigurisht personaliteti i liderit që përfaqëson vendin tonë të vogël në këto takime.

Ndërsa Kryeministri po i cilëson këto samite të sukseshme, pa dashur të paragjykojmë rezultatin e tyre, ajo që bie në sy nga çka Rama sjell në realitetin tonë nëpërmjet rrjeteve sociale, është një orvatje e e palodhur për t’i ofruar publikut shqiptar imazhe dhe video në të cilat shfaqet në moment kyçe të takimeve me liderët botërorë. Sikurse u tha më sipër, roli i liderit është shumë i rëndësishëm në thurjen marrdhënieve midis shteteve, megjithatë ajo që vihet re është se këto shtrëngime duarsh nuk duken në funksion të diplomacisë shqiptare, por të propagadës që bëhet me këto pamje në Tiranë.

Në një video të publikuar sot nga Politiko.al, shihet qartë një lodhje e pazakontë, nga mrrolja në fytyrën e Kryeministrit, seriozisht i angazhuar për të tërhequr vëmendjen e Presidentit francez Macron, ndërkohë që ky i fundit ishte duke biseduar me dy homologë të tjerë. Pamjet e Kryeministrit shqiptar, i fokusuar mbi “prenë” e tij, sikur të kërkonte çastin më të mirë për një “photo op”, tregojnë më së miri ekzibicionizmin diplomatik që ka shënuar pothuajse të gjitha daljet e Ramës në tokë të huaj. Një përpjekje e mjerueshme për të qenë protagonist, sa andej-këndej, jo në dobi të marrdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë (deklaratat e “guximshme” mbi rrezikshmërinë e Trump nuk do të sugjeronin këtë),  por për të ambalazhuar brenda vendit imazhin e  “liderit global”.

Po aq bajate janë edhe pusullat digjitale të dy përfaqësuesve socialistë mbi shtrëngimet e duarve të Ramës gjatë Samitit të Alenancës Atlantike. Nëpërmjet Fejsbukut, Olta Xhaçka postoi fotografinë e Ramës dhe Trumpit, diçitura e së ciliës nënkuptonte se Kryeministri “mahniti” Presidentin amerikan me fjalimin e tij, duke e përshëndetur posaçërisht. Ndërsa për Taulant Ballën, këtë radhë nga Instagrami, lideri amerikan u sugjestionua në një masë të madhe nga Rama, aq sa mbante veshur ngjyrat “kuq e zi” në kravatën presidenciale.

Sigurisht, kur një ditë dokumentat zyrtare të Samiteve do të zbardhen, arritjet e palës shqiptare, të cilat maten nëpërmjet fitores së projekteve ndërkombëtare, apo deklaratave zyrtare, këto suksese të hedhura të zi mbi të bardhë do të përshëndeten nga të gjithë. Megjithatë, për sa kohë do të shohim video të Ramës që endet nëpër “kantierët” e botës për të fituar një video apo një foto, të cilat do të serviren në Shqipëri si arritje mbarëkombëtare, më shumë se një gjigand i diplomacisë, për të perifrazuar vetë Kryeministrin, ai do të na duket si Robert Çamçakizi.

Me duar në xhepa, në kërkim të një fotografie.

Të fundit