Flash News

KRYESORE

A është Llalla 'kokë turku'?

A është Llalla 'kokë turku'?

Alfred Lela

Dy 'shkolla mendimi' janë formësuar në lidhje me 'rastin Llalla'. E para merret me atë se, ish-kryeprokurori është 'i korruptuar, absolutisht i korruptuar'; si i tillë duhet të dalë para drejtësisë sa më parë dhe, e dyta, me pandehmën se ai nuk është 'peshku i madh'; ka të tjerë dhe ai po bëhet 'kokë turku' në një luftë aspak inteligjente me ambasadorin amerikan, etj.

Këta ta dytët, nëpër mjegullën e trishtimtit që shkakton përhapja e ndjesisë se dikush po persekutohet, kërkojnë një rend të gjërave. Pra, arrestimin e 'peshqve të mëdhenj, absolutisht më të mëdhenj'.

Të dyja 'shkollat e mendimit', në drejtësinë që kërkojnë të vendosin, bëjnë padrejtësitë e veta. Duket e pamundur ta vendosësh në terma absolutë, të pastërisë absolute apo flligështisë absolute rastin e dikujt apo të çdokujt.

Kjo nuk ndodh as në terma biblikë dhe s'mund të ndodhë as në terma ligjorë. Absoultja, në rastin e LLallës të paktën, ka kurrfarë rëndësie. Ai nuk ka pse të jetë absolutisht i korruptuar dhe as absolutisht peshk i madh që të akuzohet, procedohet, gjykohet dhe, të dënohet ose jo.

I vetmi nocion absolut është ai i prezumimit të pafajësisë. Në këtë rrafsh z. Llalla është i pafajshëm derisa të provohet e kundërta. Megjithatë agora, apo rrafshi publik i debatit nuk operon në terma të faktit absolut. Intuita, perceptimi, informacioni i mbledhur individualisht apo kolektivisht, por edhe roli apo rolet e prezumuara të subjektit në fjalë, Llallës, formojnë atë që mund të quhet 'jurisprudencë publike'. Mendojeni pak sikur sistemi shqiptar i drejtësisë të kishte në operim jurinë popullore, siç e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Verdikti i një jurie të tillë do të merrej pikërisht mbi këtë lloj infomacioni, shto këtu dosjen me faktet dhe litigimin e avokatëve të të dy palëve, mbrojtjes dhe akuzës.

Cilat janë shkeljet e Llallës të cilat do të merrte parasysh një juri e tillë.

Si kryeprokuror, Llalla nuk e ka përfaqësuar Republikën në kapacitetet e veta dhe as të saj. Ai ka vepruar më shumë si 'pacifier' zemre për eksponentët e lartë politikë. 5 vjetëshi i Llallës nuk ka as edhe një çështje që do e lidhte shefin e akuzës me 'simpatinë e jurisë popullore'. Nëse, siç dyshohet, Llalla ka qenë më afër Metës apo Berishës, po i njëjti dyshim mund të formulohet për të edhe kështu: Megjithatë nuk është se ai ka qenë kundër PS. Pra, Kryeprokurori ka qenë neutral në raport me klasën politike.

Së dyti, z. Llalla ka iniciuar një konflikt, apo ka rënë pre e tij, me Ambasadorin amerikan, Donald Lu. Duke mos patur lëndë tjetër veç asaj që rrëfejnë palët, detyrohemi të formulojmë mendime mbi informacionet postum që LLalla dhe Lu i kanë bërë episodit. Nëse Ambasadori amerikan e ka kryer kërcënimin dhe kërkesën që Llalla pretendon, ai ka fyer jo vetëm Kryeprokurorirn dhe zyrën e tij, por edhe qytetarët shqiptarë dhe sovranitetin e Shqipërisë. Në emër të zyrës dhe të tyre, Llalla duhet të kishte thirur një konferencë urgjente shtypi për të denoncuar ndërhyrjen flagrante të përfaqësuesit amerikan. Nëse, për një kod etike apo dhe frikë, ai vendosi të mos e bënte këtë, automatikisht, vonesa fundosi të drejtën e tij që ta përdorte më vonë episodin në një studio televizive, për qëllime që tashmë ishin qartësisht një 'gjakmarrje'  personale mes tij dhe Ambasadorit dhe aspak një betejë për Republikën.

Së treti, Llalla mori një rexferman nga Tillerson, një precedent në memorien institucionale të Departamentit Amerikan të Shtetit, duke u shpallur persona non grata për korrupsion. Komentet në këtë pikë janë të tepërta, por nuk mund të thuash se Lu e sulmonte Llalën nga pozitat e një sorosiani dhe sekretari Tillerson nga ato të një anti-soroasini. Do të binim në paradoks.

Aspak produktive dhe katërcipërisht amatoreske ishte edhe një raport që z.Llalla i dërgonte para një viti Kongresmenit amerikan Rochrebacher. Aty shihej më shumë personalja Llalla-Lu se sa shqetësime që kishin të bënin me vështirësitë që ai po haste në krye të Prokurorisë në 'hetimet intensive' kundër politikanëve të korruptuar dhe krimit të organizuar.

Gjë që më sjell, mua personalisht, te një pikë e fundit përmbyllëse. Nuk e shikoj Lu si 'sherifin e mirë antikrim', pra nuk shoh te ai simbolin e një plotësie, por simbolin e një mungese. Kjo mungesë shtrihet, si nge orientale, te institucionet dhe politika shqiptare. Besoj se, edhe një pjesë e opinionit dhe komentatërëve politikë identifikohen me Lu nëpërmjet kësaj mungese.

Hierarkia e shtetit është një piramidë ku flenë mumjet e kaq eunukëve.

Të fundit