A është populist kryeqeveritari juaj? 10 karakteristika

Carlos Alberto Montaner
A është “populist” kryeministri juaj? Ta quash “populist” një politikan apo një pushtetar, do të thotë ta diskreditosh atë. Por cilat janë karakteristikat e një pushtetari “populist”?
Leximi i fundit, shumë më i zgjeruar i këtij dekalogu të frymëzuar nga eseja e shkurtër e Jan-Werner Müller (“What is populism”), bëri që shumë prej të pranishmëve, gjatë fjalës time në Meksikë, në marrjen e Çmimit Rrugët e Lirisë, të mendojnë se po flisja për Andrés Manuel López Obrador*.
Qëllimi im nuk ishte ai, por nëse kjo xhaketë atij i rrinte mirë, le t’ia i vishnin. Sipas mendimit tim, gjëja interesante në lidhje me termin është se ajo aplikohet në të djathtë e në të majtë.

  1. Kaudijismi (prijtarizëmi) – Në përgjithësi, populizmi fillon me pranimin e një kaudijo (prijësi, udhëheqësi), të cilit i atribuohen të gjitha virtytet dhe i cili na qenka caktuar të jetë përfaqësuesi i shkëlqyeshëm i vullnetit popullor. Ai qëndron mbi të gjitha institucionet dhe fjala e tij bëhet dogma e shenjtë e atdheut. Stalini, Musolini, Hitleri, Frankoja, Peroni, Fidel Kastroja, Hugo Çavez, Nikolas Maduro, e plot të tjerë, secili në mënyrën e tij, janë shembuj të kaudijos.
  2. Monopolizmi – Vetëm “ne” jemi përfaqësuesit e vërtetë të popullit. “Të tjerët” janë armiq të popullit. Kështu që, “të tjerët” janë qenie të kota që meritojnë vetëm përbuzjen tonë më të madhe. Çavez i quajti kundërshtarët e tij “majunches”, një venezuelanizëm që do të thotë “budalla ose i padobishëm”.
  3. Adamizmi – Vjen nga Adam, njeriu i parë. Domethënë, historia fillon me ata. Sipas tyre, e kaluara është vetëm një vazhdim dështimesh, të këqijash dhe tradhtish. Historia e atdheut fillon me ata, të cilët, pas shekujsh qeverisjesh të mbrapshta, kanë ardhur në pushtet për të mirën e popullit.
  4. Nacionalizmi – Nacionalizmi, në përgjithësi, është një besim i lidhur me identitetin e supozuar kombëtar. Zakonisht është ekskluzive dhe çon në racizëm ose forma të tjera të përjashtimit social. Në fushën ekonomike ajo çon në proteksionizëm ose në dy reagime, dukshëm, të kundërta: izolimi në mënyrë që të mos përzihet kush me punët tona dhe propaganda për të përhapur sistemin tonë të lartë të organizimit. Në ditët tona, ky nacionalizëm shndërrohet në “anti-globalizëm”.
  5. Etatizmi – Populistët, pothuaj, duke qenë përherë etatistë, duan t’i shtijën në dorë të gjitha pushtetet, sepse vetëm ashtu do t’i plotësojnë nevojat e “popullit të dashur”. Ata nuk besojnë te zhvillimi spontan dhe i lirë i shoqërisë. Prijësit populistë synojnë nënshtrimin e plotë të krijuesve të pasurisë, prandaj tentojnë t’i kthejnë, dhe shpesh ia arrijnë, në “kërkues të rentës”.
  6. Klientelizmi – Pushtetarët populistë nuk kanë mbështetës, por klientë, të cilëve u detyrohen për shumë gjëra. Ata i kënaqin këta “gjuetarë subvencionesh”. Populistët e kuptojnë se politika është për të krijuar miliona stomakë mirënjohës, të cilët duhet t’ia kenë për nder kryeqeveritarit, që i ushqen, prandaj, për këtë, ata duhet të përfundojnë si bazë mbështetjeje e tij.
  7. Centralizimi i të gjithë pushteteve – Kaudijo kontrollon gjithçka: sistemin e drejtësisë, atë legjislativ, median, etj. Këtë përpiqet ta bëjë me të gjitha mënyrat. Ndarja e pushteteve dhe e ashtuquajtura checks and balances shkelen me këmbë prej tij.
  8. Gjithë zyrtarët nuk janë në shërbim të shoqërisë, por në shërbim të prijësit “populist” – Pushtetarët kontrollojnë dhe manipulojnë agjentët ekonomikë, duke filluar nga banka kombëtare, e cila bëhet një makinë për shtypjen e kartëmonedhave siç dikton kaudijo.
  9. Gjuha e dyfishtë – Semantika bëhet fushëbetejë dhe fjalët fitojnë një kuptim tjetër. “Liria” bëhet “bindje”, “besnikëria” “nënshtrim”, etj. Atdhe, komb dhe udhëheqës përmblidhen tek e njëjta fjalë, te kjo e fundit, dhe çdo mospërputhje e këtyre fjalëve quhet “tradhti”.
  10. Zhdukja e çdo gjurme të përzemërsisë qytetare – Nga ana e tyre përdoret vetëm një gjuhë urrejtjeje, agresive dhe dhune. Prijësi mendon se kushdo që i del përpara është armik, të cilin, përherë, e quan krimb, shitës të atdheut, person i përkushtuar ndaj interesave më të këqija, etj.

Përfundimisht, prijësi populist është i destinuar për të shkatërruar tjetrin.

Dhe unë, përsëri, po ju pyes: a është populist kryeqeveritari juaj?
Ta dini se nuk është nevoja t’i ketë të 10 karakteristikat. Mjaftojnë pesë prej tyre.

———————————

*Andrés Manuel López Obrador – Presidenti aktual i Meksikës

**Publikuar më 20 tetor, 2019. Në shqip: Bajram Karabolli