A ka jetë për Ramën dhe Bashën pas 30 qershorit?

Alfred Lela

Nuk është e vështirë t’i imagjinosh Edi Ramën dhe Lulzim Bashën me urë zjarri në dorë tek turren drejt 30 qershorit. Të dy ardhur prej drejtimesh të ndryshme. Të dy me një këngë të ndryshme në gojë. Të dy ndjekur nga pasues, hileqarë, trupa mediatike, propagandistë, rivalë politikë brenda grupit dhe, më të sinqertët, gjithmonë ata, ithtarët.

Të dy, teksa bëhen gati ta kallin 30 qershorin, besojnë se faji është i tjetrit. Teksa countdown-i i datës së zgjedhjeve lokale skadon nga dita në ditë, duke e afruar edhe më shpatën e Damokleut, komunikimi mes tyre është ndërprerë. Në këtë ndërprerje është futur vreri i mosmarrëveshjes dhe përplasjes së fundit. Asaj finales që bën t’i nxjerrin sytë xixa të gjitha përplasjeve të mëparshme.

Një gjë duhet thënë: Edi Rama dhe Lulzim Basha e bëjnë keq, si luftën, si dashurinë. Kur bënë luftë, para dy vitesh, mes tyre u fut fjalori më i egër, zëri më i çjerrë, mosmarrëveshja më e thellë, padurimi më vrastar, dallimi më i pashoq. Kur bënë paqe, të gjitha dallimet ranë, të gjitha shoqëritë u duk se kishin lulëzuar prej kohësh në bezistanin e mungesës së njohjes, të gjitha egërsitë u strukën si kokat e Hidrës pas ndeshjes me Herkulin.

Siç na dhanë tre muaj iliadeskë, njëri nga shatorrja në Bulevard, dhe tjetri nga lartësitë e kullës kryeministrore, ashtu, më 17 maj, na hodhën të këmbët e habitura një paridiadë, tekstin lëbyrës të një mirëkuptimi politik, që Tiranës nuk ia kishin parë sytë.

Tani jemi rikthyer, si me makinë kohe, në pranverë-verën e para dy viteve. I kemi qenë dëshmitarë tërbimit dhe po presim, me sytë ujë, që të bëhet paqja. Që njëri prej tyre, apo të dy bashkë, të dalin nga vargjet e ‘Lahutës së politikës’ dhe të na shfaqin lirën që, diku në kraharor, e kanë.

Kanë kaluar dy javë nga përvjetori i dytë i 17 majit dhe asnjë këngë paqeje nuk po këndohet. Lajmëtarët as shkojnë, as vijnë. 30 qershori rri para të dyve si një kullë në ‘Eposin e kreshnikëve’, që lutet t’i shpëtojë djegies.

Prej kah vjen shpëtimi?

Një mundësi të mirë kompromisi, të paktën tekstin dhe stilin e tij e ofruan para pak javësh dy parlamentarë gjermanë, që folën për ‘braktisje tabush’. “As tërheqja e kryeministrit të mos jetë tabu, dhe as data e zgjedhjeve”, propozoi Johann David Wadephul, zv/kryetar i grupit CDU-CSU në parlamentin gjerman.

Nga njëri vesh u hyri, e prej tjetrit u doli.

30 qershori, megjithë rrezikun, do të rezistojë deri ditën e fundit, dhe deri atë ditë nuk ka pse të konsiderohet tabu. Që do të thotë, zgjedhjet lokale mund të bëhen, opozita mund të tërhiqet prej detyrimit për të ndërhyrë në to, me secilën formë që ajo di, do, apo mundet, dhe Edi Rama mund të ‘mbretërojë’ mbi 61 bashki.

Kjo paqe heq një gur nga themelet e përplasjes së pritshme por, si çdo ngrehinë dhe përbetim i ri kërkon një harxh, një gjak flijimi. Rama duhet të dakordohet me opozitën që, si zgjedhjet parlamentare, ashtu dhe lokalet të jenë të parakohshme; në një datë që negociatorët të mund të vendosin dhe që lejon implementimin e një pakete gjithëpërfshirëse; ku renditen edhe pikat e kryetarit të opozitës, që shohin nga sistemi zgjedhor, parlamenti dydhomësh, ndryshimet kushtetuese, e me radhë. Mazhoranca doemos do të ketë kërkesat e veta në këtë Paketë.

Një pakt i tillë heq urët e zjarrit nga duart e ndërluftuesve dhe rrëzon ‘tabunë e 30 qershorit’. Në anën tjetër, lejon që të bien ‘pengjet’ e opozitës për Ramës si ‘përdhunues serial zgjedhjesh’.

Tabuja tjetër duhet rrëzuar prej kryeministrit. Nëse mendon se 30 qershori do ta fuqizojë, e ka gabim. Mund ta bëjë mbret, por do të jetë një monark qesharak. Shumë udhëheqësve, i tillë u ka ardhur fundi, por Rama nuk ka pse të përsërisë të tjerët.

Nëse ka një pakt, sa mirë!, sikur paqen ta bëjnë pak më mirë se luftën.