Flash News
Konstituohet grupi i dialogut mes opozitës dhe mazhorancës për ‘Reformat’
Tragjikomedia e AADF me Butrintin: Një i panjohur do të drejtojë bordin shkencor të fondacionit
Lejuan 37 ndërtime të paligjshme, dënohen dy kryeinspektorë dhe inspektorë të IMT në Bashkinë e Lushnjes
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Makina përplas për vdekje këmbësorin në Fier, shoqërohet shoferi 20-vjeçar
Alfred Lela
Titulli është një teprim. Edhe për rastin e Shqipërisë, edhe për faktin se është një imitim i titullit të një libri të maestros së gjeopolitikës, Henry Kissinger, i cili guxonte me dilemën ‘A ka nevojë Amerika për politikë të jashtme?’.
Nëse një fuqi e madhe si Amerika është në mëdyshje për izolacionizmin, Shqipëria nuk ka luksin as ta mendojë një alternativë të tillë.
Dilemën, megjithatë, e bëri prezente një tur në aksin Bruksel-Londër i kryeministrit Edi Rama. Të mos gëzohemi dhe aq nga mossuksesi dhe mospërfillja për shefin e qeverisë shqiptare nëse jemi kundërshtarë apo kritizerë te tij. Po aq të mos hidhërohemi nëse jemi dashamirës apo vartës të tij.
Goditjen e Ramës e pësojnë pjesërisht edhe brinjët e Shqipërisë. Sigurisht, amatorizmi i kryeministrit tonë prish shijen e gjërave, por nuk e ndryshon thelbin.
Amatorizmi dhe servilizmi, sidoqoftë nuk kanë të bëjnë me pamundësinë e Shqipërisë për të qenë një ‘big player’ në skakierën ndërkombëtare se sa me mundësitë e humbura të qeverisë socialiste për të qenë partnere serioze.
Rama shkonte në Londër dhe Bruksel me, për të përdorur një frazeologji amerikane, ‘a chip on his shoulder’. Ai i dinte komplekset e veta, të cilat ishin jo shumë por dy, megjithatë të plota në fizionominë e tyre rrënimtare për shefin e qeverisë shqiptare.
Në Londër, në samitin e Ballkanit Perëndimor, ai shkonte si gjenerali pas një humbjeje me vetëdijen se Aleatët nuk do ta trajtonin si të Boshtit, por si neutral. Një ‘shprehje gjeografike’ në një hartë me kaq shumë peripeci të tjera.
Mbi të gjitha ai kishte humbur besimin e gjermanëve, të cilët po të ishin të sigurt në partneritetin serioz të kryeministrit shqiptar, francezët jo, por holandezët dhe danezët mund t’i shtynin drejt ‘kartonit të blertë’ për Shqipërinë.
Jo se një Jo e trefishtë do ishte më pak penguese se një e nxjerrë nga vetëm vetoja e Francës, por ‘Parisi ia vlen një meshë’.
Në Bruksel ai nuk mund ta shmangte kujtimin e hidhur se anëtarësimi në klubin e lirisë, paqes dhe luftës’ ishte vepër e qeverisë së djathtë. Gjithaq komentin idiotesk për kandidatin Republikan Trump si ‘turp i qytetërimit’. Turp të cilin shumica e amerikanëve e hëngrën me bukë. Po Rama? Të tjerat janë storje politike.
Në përfundim, Rama nuk mund të ketë politikë të jashtme, sepse ai nuk mund të komandojë ushtrinë e zgjidhjeve dhe opsioneve të brendshme. Në hartën e Europës, shqiptarët lëvizin nën shenjën e narkotrafikut dhe azilkërkimit. Në të njëjtën hartë, Ballkani nuk është më vatër konflikti dhe as prioritet. Shigjeta amerikane është zhvendosur drejt Azisë Lindore dhe Lindjes së Mesme.
Kur Ballkani në hartë është thjesht kujtim, liderët e tij nuk vlejnë më shumë se një foto-gogol për kundërshtarët politikë dhe popullin e trumhazur dhe një dekoratë për albumet e tyre të pensionit.
Historia nuk kalon më këtej dhe politika e ditës nuk mjafton as sa një kthim koke i Trumpit.