Flash News

OP-ED

A ka një plan për ndarjen e Kosovës?

A ka një plan për ndarjen e Kosovës?

Sonja Biserko*

Ndërsa Ballkani Perëndimor i ndodhur në kushte shumë të pafavorshme ekonomike po investon përpjekje të mëdha për t’u përballur me epideminë, qeveria kosovare, madje edhe në mënyrë jo të papritur, ishte viktimë e larjes së llogarive, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm. T’i futesh një aventure kaq të rrezikshme në mesin e pandemisë është politikisht dhe moralisht e pakujdesshme.

Mosmarrëveshja mes Kryeministrit dhe Presidentit të Kosovës rreth masave për parandalimin e epidemisë ishte vetën hyrja në dramën që erdhi më vonë dhe e cila ende nuk dihet sesi do të mbyllet. Shumë tregues flasin për faktin se pas kësaj qëndron një lojë shumë më e madhe e cila ka si synm realizimin e marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës me cilindo çmim, madje edhe aktivizimin e ndarjes së Kosovës, ose shkëmbimin e territoreve.

Marrëveshja e fshehtë

Disa ekspertë amerikanë (Daniel Server, Eduard Xhozef, Kajsi Miçell, Shin Berns) kanë tërhequr vëmendjen te takimi mes Vuçiçit dhe Thaçit në Uashington (në muajin shkurt) në të cilin thuhet se është rënë dakord për ndarjen në prani të Riçard Grenelit, i dërguar special i Presidentit amerikan Tramp. Përveçse dëshirohet së paku njëfarë suksesi në planin e politikës së jashtme, duket se Amerika në këtë fazë tejet kritike ka vendosur t’i tregojë BE-së se nuk është i aftë të zgjidhë çështjen kosovare. Administrata aktuale amerikane ka braktisur politikën sipas së cilës para dy dekadash SHBA dhe BE ishin dakord në çështjet krysore në Kosovë.

Departamenti i Shtetit, pas deklaratave të ekspertëve, doli me deklaratën në të cilën nënvizohet se Grenelli, Palmeri dhe Kosneti, nuk e kanë parë marrëveshjen e fshehtë. Megjithatë, Serveri nuk beson në kredibilitetin e kësaj deklarate, sepse për disa plane tashmë është spekuluar në opinionin publik, sikur Vuçiçi dhe Thaçi kanë pranuar të bisedojnë për shkëmbimin e territoreve. Në mënyrë që kjo deklaratë të ishte kredibël, nënvizon më tej Serveri, në vazhdim të frazës, se „qëllimi është njohja e ndërsjelltë“, duhej të  shkruhej edhe „brenda kufijve ekzistues“.

Pasi ambasadorët e Kuint-it doli me deklaratën në të cilën shprehej kundër rrëzimit të qeverisë, ambasadori amerikan doli me një lajmërim të veçantë në të cilin mbështeste votimin për mocionin e mosbesimit të qeverisë së Albin Kurtit.

Franca dhe Gjermania, si dy vende udhëheqëse të BE-së, dolën me deklaratë të përbashkët në të cilën kritikohej pakujdesia në rrëzimin e qeverisë në kohën e pandemisë, sepse „Kosova ka nevojë për një qeveri plotësisht funksionale për të drejtuar krizën“. Ndërsa raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën, Viola fon Kramon shpreh besimin se, pasi ka shkaktuar çrregullime në Kosovë, SHBA-të do ta mbajën fjalën se nuk ka plan të fshehtë për Kosovën dhe ndryshim të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës.

Reaksion i ngadalëshëm i BE-së

Ndërkohë është fakt se BE-ja reagoi ngathët ndaj këtyre goditjeve kundër qeverisë Kurti, por po ashtu është e vërtetë se vetëm ajo ka interes afatgjatë të merret me këtë rajon.

Sepse sikurse nënvizon Zhozef Boreli, Përfaqësues i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, „nëse duam që Ballkani Perëndimor të ecë me sukses në rrugën e pajtimit dhe të reformave, duhet t’i ofrojmë këtij rajoni procedurë dinjitoze për antarësim në BE e cila do të japë përfitime shtesë“. Bodo Veberi, analist politik, megjithatë mendon se kriza politike në Kosovë është rezultat i gabimeve paraardhëse në dialogun mes BE-së dhe SHBA-ve.

Shkak direkt për rrëzimin e qeverisë ishte kërkesa e SHBA-ve që qeveria e Kurtit të hiqte taksën 100% ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, të cilën e kishte futur ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në fundin e vitit 2018. Kryeministri Kurti lajmëroi heqjen graduale të taksës, por edhe tërhoqi vëmendjen se, nëse Serbia nuk e ndërpret fushatën kundër pavarësisë së Kosovës, do të vendosë masa reciproke dhe do ta trajtojë Serbinë ashtu sikurse Serbia e trajton Kosovën.

Megjithatë, për heqjen e taksave pa reciprocitet këmbënguli në mënyrë të veçantë i dërguari special i Presidentit amerikan për bisedime mes Kosovës dhe Serbisë, Riçard Grenel, dhe gjithçka, sikur është nënvizuar, në funksion të vazhdimit të dialogut.

Rreshtimi në anën e Serbisë, e cila kushtëzoi vazhdimin e  dialogut me heqjen e taksave, dhe shantazhimi ndaj qeverisë Kurti (tërheqja e trupave amerikane, mosdhënia e ndihmës financiare) kishte vetëm një qëllim- eleminimin e Kryeministrit Kurti, si pengesë në realizimin e marrëveshjes së arritur mes Thaçit dhe Vuçiçit. Kërcënimi i Grenelit se SHBA-të do ta ndërpresin ndihmën pati një rol vendimtar, të cilën shqiptarët kurrë nuk e kanë vënë në diskutim, para së gjithash për rolin e SHBA-në në fitimin e pavarësisë kosovare.

Pa marrë parasysh faktin që përpjekja e mëparshme e Thaçit për ndarje ndeshi në mosmiratim të madh, si në parlamentin kosovar, ashtu edhe në tërë opinionin publik, mund të konkludohet se edhe ai është nën njëfarë lloji presioni ose, sikur insinuon Danijel Serveri, se ndaj tij „bëhet presion i madh dhe se të gjithë në Prshtinë mendojnë se ky presion ka të bëjë me Gjykatën Speciale“.

Nëse kjo është e saktë, Serveri nënvizon se kjo zbulon „sjelljen e administratës se Trampit për përdorimin e Gjykatës speciale për bërjen e presionit ndaj shefit të shtetit“, fjalë që Serveri e përcepton si „ndryshim të politikës ndaj Kosovës“.

Puç kushtetues?

Tani është në përpunim njëfarë inxhinjering-u politik i llojit të tij i cili ka si qëllim vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në mënyrë që Thaçi të qëndrojë në timon dhe me këtë eventualisht, të vazhdojë bisedimet për ndarjen e Kosovës.

Publicisti dhe shkrimtari kosovar Veton Surroi vlerëson se në Kosovë po përgatitet një puç kushtetues, duke patur parasysh, siç nënvizon ai, se Presidenti Thaçi po këmbëngul në formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse. Nëse niset „nga e drejta diskrecionale e presidentit, atëherë bëhet fjalë për puç kushtetues“.

Beogradi që në fillim ka qënë i bindur për paqëndrueshmërinë e qeverisë së Kurtit, gjë së cilës mediat serbe i kontribuan me analizat e tyre. Në të gjithë takimet formale dhe joformale, jo vetëm të përfaqësuesve direktë të Vuçiçit, por edhe të një sërë të ashtuquajturish analistë të pavarur, por edhe përfaqësues të sektorit civil, në takime me të huajt, mund të dëgjoheshin analiza se „puna akoma nuk është kryer“. Edhe Thaçi edhe Vuçiçi i’a kanë kthyer shpinën BE-së dhe në mënyrë të veçantë Anxhela Merkelit, sepse gjoja pozita e saj është lëkundur ndjeshëm.

Vladimir Jovanoviç, ish shef i diplomacisë së Millosheviçit pohon se BE-ja është e shqetësuar për kthimin e SHBA-ve në Ballkan, sepse ajo e di mirë se kjo është e lidhur me ambicjen që Brukselit dhe Berlinit t’iu mbajë edhe një leksion se nuk janë të aftë për zgjidhjen e problemeve në oborrin e tyre, por parë në një pikëpamje afatgjatë, Gjermania nuk dëshiron të ulet në „bankën e fundit“.

Edhe Thaçi edhe Vuçiçi shfrytëzojnë krizën ndërkombëtare që të vazhdojnë me marrëveshjet e tyre të mëparshme dhe që të dy i japin prioritet SHBA-ve si faktor kredibël që mund të ndërmjetësojë në dialog.

Kësisoj, Hashim Thaçi nënvizon se Presidenti Tramp dhe ambasadori Riçard Grenel kanë kredibilitet për rol drejtues në dialog, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Ai kritikon BE-në, megjithëse marrëveshje e vitit 2013 i ka sjellë një sërë lehtësirash Kosovës, dhe nënvizon se sot „kemi të bëjmë me një Europë në të cilën ka pesë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën dhe kemi përfaqësuesin për politikë të jashtme që vjen nga shteti që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por ka pranuar planin Ahtisari“.

Nga ana tjetër, qeveria serbe dhe Presidenti Vuçiç shfrytëzojnë krizën dhe mbështetjen e Kinës për të forcuar legjitimitetin e tyre politik, për të justifikuar shkuarjen prapa të demokracisë, për të frikësuar shoqërinë  civile dhe për të kufizuar akoma më shumë mediat. Njëkohësisht, Vuçiçi ka shfrytëzuar ndarjet brenda BE-së në lidhje me zgjerimin për të hedhur në publik një sërë fyerjesh ku „solidaritetin europian e ka quajtur përrallë dhe ka akuzuar Unionin për hipokrizi“. Çdo ditë iu afrohet partnerëve autoritarë siç janë Kina dhe Rusia.

Deal-i i Uashingtonit

Vuçiçi dhe Thaçi mbështeten jo vetëm te SHBA-të, por edhe te Rusia dhe Kina. Analistët rusë ka kohë që pohojnë se kufijtë në Ballkan nuk janë ende përfundimtarë dhe se në rikompozimin e Ballkanit Rusia duhet të ketë rolin e saj. Thaçi madje ka deklaruar se Presidenti rus Vladimir Putin i ka thënë se Moska në Këshillin e Sigurimit nuk do ta kundërshtojnë ndonjë marrëveshje eventuale mes Beogradit dhe Prishtinës. Për Moskën ndarjet e reja në Ballkan janë në favor të saj për shkak të situatave të ngjashme në fqinjësinë e saj të afërt. (Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia.)

Vështirë të besohet se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i mundur në rrethanat aktuale, mbi të gjitha kur qeveritë e të dy vendeve janë teknike dhe se ende nuk dihet se kur do të jenë zgjedhjet e mundshme. Për këtë mund të priten vetëm pasojat shkatërrimtare të pandemisë për ekonominë e Ballkanit. E vetmja ndihmë dhe mbështetje reale mund të vijë nga BE-ja, e cila do të goditet edhe vetë nga pasojat negative të pandemisë. BE-ja para pak kohësh i dha statusin e kandidatit Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, gjë që me vonesë e kthen atë në qendër të politikës ballkanike. Ka përcaktuar një ndihmë me rëndësi për vendet e Ballkanit Perëndimor në luftën kundër pandemisë.

SHBA-të nuk janë të angazhuara në Ballkan dhe në çështjen kosovare, nënvizon Serveri dhe paralajmëron se “rrëzimi i kryeministrit kosovar“ nuk është në përfitim të Prishtinës. Nënvizon se nuk ka shanse për arritjen e çfarëdolloj marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës deri pas zgjedhjeve në Serbi, por edhe në SHBA.

Vetëm me fitoren e demokratëve në SHBA mund të pritet një politikë amerikane konstruktive, për atë se aktivtetet e përbashkëta mes SHBA-ve dhe BE-së, janë parakushti për presion të vërtetë ndaj Beogradit. „Rambo diplomacia“ (frazë e përdorur nga Volfgang Petriç) e Grenelit, këtë presion as ka tentuar ta bëjë, por është rreshtuar në anën e më të fortit.

Pandemia ka për ta ndryshuar rendin botëror, por ka rëndësi që liderët botërorë të ruajnë parimet e rendit liberal botëror mbi bazën të cilit është ndërtuar arkitektura e Ballkanit këto 20 vitet e fundit. Edhe Kosova edhe Serbia i kanë më se të nevojshëm liderë dhe qeveri me vizion, në mënyrë që të tejkalojnë pengesat që qëndrojnë si mur mes dy bashkësive. Është e nevojshme të rikthehet besimi i qytetarëve te institucionet dhe solidariteti, si brenda shoqërisë së secilit ashtu edhe të kërkuarit e një paqe të qëndrueshme rajonale. Në të kundërtën Ballkani mund të ndizet përsëri, me pasoja të paparashikueshme, si për rajonin ashtu edhe për Europën.

*Kryetare e Komitetit të Helsinkit-Serbi

**Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

Të fundit