Flash News

KRYESORE

A ka vlerë kritika e Hoyt Yee? Gjatë mandatit të tij, të gjithë "të korruptuarit" e Ballkanit vizituan ‘Shtëpinë e Bardhë’ dhe Departamentin e Shtetit

Zv/Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Hoyt Brian Yee ndodhet në fund të mandatit të tij, të cilin e fitoi në gusht të 2013-ës. Ditën e djeshme, Hoyt Yee bëri një deklaratë të fort kur e konsideroi të turpshëm faktin që udhëheqësit e Ballkanit, pavarësisht aktve të dënueshme, mirëpriten në shumë kryeqytete evropiane sikur të mos ketë ndodhur gjë. Më pas, zyrtari amerikan përfshiu edhe Uashingtonin për mbështetjen që iu jep këtyre liderëve.

Por sa vlerë ka dhe sa e sinqertë është kritika e Hoyt Brian Yee?

I njohur ndryshe si ‘buldozieri’ për shkak të ndikimit në Departamentin e Shtetit, Hoyt Yee ka ndikim të madh edhe sa i përket marrëdhënieve të SHBA-së me vendet e Ballkanit dhe ky fakt konfirmohet nga vizitat e shpeshta që liderët e rajonit, të cilët sipas tij kanë kryer veprime të dënueshme, kanë zhvilluar në ‘Shtëpinë e Bardhë’ gjatë mandatit të tij.

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski është takuar në Janar të 2016-ës me ish-zv/presidentin Joe Biden, në Shtëpinë e Bardhë. Në ‘Shtëpinë Bardhë’, ka qenë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në takim me ish-presidentin Barack Obama, ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar në të njëjtin vend me dy zv/presidentë, Joe Biden dhe Mike Pence. Hoyt Yee ka qenë në detyrë gjatë këtyre takimeve dhe sigurisht që miratimi i këtyre vizitave ka kaluar edhe nga zyra e tij. Edhe presidenti serb Aleksandar Vuçic ka qenë në ‘Shtëpinë e Bardhë’, ndërsa ministri i Jashtëm Ivica Daçiç është pritur në Departamentin e Shtetit.

Për shkak të detyrës, Hoyt Yee ka vizituar disa herë kryeqytetet e Ballkanit, ku është takuar me këta drejtues të cilëve u ka hapur derën e ‘Shtëpisë së Bardhë’, ndërsa sot kërkon të mos priten më në kancelaritë evropiane dhe në Uashington.

Çfarë deklaroi dje Hoyt Brian Yee?

“Është për të ardhur turp se si udhëheqës politikë të Ballkanit, pavarësisht nga akte të dënueshme, mirëpriten në shumë kryeqytete evropiane, sikur aktet e tyre nuk përbëjnë asgjë të keqe. Kur qytetarët e këtyre vendeve i shohin udhëheqësit e tyre në takime të nivelit të lartë në Evropë dhe Uashington, ata nxjerrin përfundime. Nëse këta udhëheqës nuk lejohen në takime dhe qarqe të caktuara dhe bëhen të qarta arsyet përse, kjo do të kishte një ndikim pozitiv në zhvillimet e këtyre vendeve”.

Të fundit