A mund të vijë shpëtimi i Britanisë për finalizimin e Brexit nga mbretëresha Elizabeth?

U bënë muaj tashmë që në Britaninë e Madhe nuk po arrihet që të gjendet një konsensus për mënyrën se si duhet që të finalizohet marrëveshja për Brexit-in. Pas Theresa May-t, radha është e Boris Johnson-it që të mund të gjejë akordin me parlamentarët anglezë për finalizimin e marrëveshjes së Brexit me BE-në.

Por gjasat duken të pakta që kjo të arrihet, ndërkohë që edhe posti i tij duket në rrezik pa nisur mirë. Në të tillë situatë, “Zëri i Amerikës” analizon se tani po shtohen spekulimet që Mbretëresha Elizabeth të thirret për të zgjidhur një krizë kërcënuese kushtetuese rreth planeve të kryeministrit Boris Johnson, për ta larguar Britaninë nga Bashkimi Evropian, nëse është e nevojshme pa marrëveshje me Brukselin.

Mbretëresha Elizabeth, i ka kaluar 67 vjet në fronin që është mbajtur me shekuj pa ndërprerje nga Shtëpia Windsor. Ajo ka fuqinë për të thirrur dhe shpërndarë parlamentin dhe për të nënshkruar ligjet, megjithëse në praktikë ajo i ushtron këto përgjegjësi vetëm me kërkesë të kryeministrit.

Fuqitë e tilla “ushtrohen normalisht në një mënyrë të padukshme dhe ndodhin publikisht vetëm në situata krize kushtetuese për të garantuar ekuilibrin midis institucioneve,” i tha Zërit të Amerikës ish ambasadori spanjoll në Londër,Trillo-Figueroa.

Por, zbritja nga piedestali mbretëror për të mbajtur anë në përplasjet politike, mund të jetë lojë e rrezikshme.

Mbretëresha Elizabeth rrezikon të tjetërsojë elementët më tradicionalë të shoqërisë britanike, shumica e së cilës votoi për largimin nga Bashkimi Evropian në një referendum në vitin 2016, nëse ajo refuzon kërkesën e pritshme të kryeministrit Johnson për të pezulluar parlamentin nëse ai bllokon një Brexit pa marrëveshje. Pallati Buckingham tashmë zyrtarisht ka theksuar se “vullneti i parlamentit duhet të respektohet.”