Flash News

OP-ED

A po ikën Kapiteni Lu pa e kapur Moby Dick-un e korrupsionit?

A po ikën Kapiteni Lu pa e kapur Moby Dick-un e korrupsionit?

Naum Mara

Metafora e “peshqve të mëdhenj” e përdorur nga ambasadori amerikan Donald Lu dhe obsesioni i tij me “të mëdhenjtë“, të sjell në mendje të famshmin Kapiten Ahab dhe përpjekjet e tij stërmëdha për të zënë balenën vrastare.

“Lundrimit” të parë të ambasadorit Lu në Shqipëri po i vjen fundi dhe balenën e bardhë të korrupsionit shqiptar ka arritur ta shquajë në horizont, por nuk i është afruar dot. Mbase edhe pse i mungonin edhe baleniera, edhe marinarët, edhe fushnjat.

Donald Lu u mundua të krijonte nga hiçi balenierën e quajtur “Reforma në Drejtësi” dhe me vështirësi, me hartime dhe prishje projektesh arriti të bëjë diçka. Ndoshta baleniera nuk është e shpuar dhe do jetë në gjendje të dalë në det të hapur, por proçesi i ndërtimit është tejet i ngadalshëm. Nuk është çudi, që e ngadalshme do jetë edhe vetë anija e gjuetisë.

Deri tani është arritur vetëm skartimi i disa pjesëve të prishura dhe asgjë më tepër. Inercia e sistemit të vjetër dhe ngadalësia e procesit të Vettingut, i kanë bërë shqiptarët të jenë pesimistë për kapjen e “peshqve dhe gjitarëve të detit”.

Në këtë proces të vështirë, vërtet që Donald Lu nuk humbi një këmbë si Kapiteni Ahab, por u përfol nga qarqe të caktuara të vendit dhe të huaja, si diplomat i njëanshëm, si diplomat që tejkalon me impenjimet dhe ndërhyrjet statusin e tij. Javën e fundit është folur me keqdashësi edhe se ky ishte fundi i karrierës së tij diplomatike, që është më shumë se humbja e një këmbe apo një syri.

Po pse është kaq e vështirë të kapet Moby Dick-u shqiptar i korrupsionit?

Ndoshta Donald Lu gaboi kur u mbështet më shumë te fuqia politike, që është në mazhorancë dhe ka të ngjarë të jetë koka e Moby Dick-ut?

Mbase e gënjejnë gjithë marinarët që ka rrotull dhe ju beson?

Nuk janë pyetje që kanë një përgjigje të thjeshtë. Edhe me vendosmërinë dhe durimin e tij, Donald Lu nuk mund të bëjë mrekullira.

Në romanin e Herman Melville “Moby-Dick”, kapiteni Ahab përgatit një ekspeditë tjetër për tu hakmarrë përfundimisht ndaj balenës vrasëse, që i mori këmbën. Me pasion, përkushtim, kujdes për hollësitë kryen një udhëtim të guximshëm.

A do kthehet Kapiteni Lu për balenën e korrupsionit shqiptar pas disa vitesh?

Ka të ngjarë, që kjo të jetë thuajse e pamundur.

Ndoshta më mire, se edhe fundi i Ahab-it ishte tragjik.

 

 

 

Të fundit