Flash News

KRYESORE

A po zhvillohet një ‘kryengritje’ në LSI kundër Monika Kryemadhit?

Monika Kryemadhi po përballet me vështirësi të mëdha në menaxhimin e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim.

Pasi deputeti i Fierit, Robert Bitri dha dorëheqjen nga drejtimi i degës në këtë qytet dhe prej kohësh kundërshton vendimet politike të LSI-së, dy deputetë të tjerë po tregojnë gjithashtu pakënaqësi ndaj urdhrave të kryetares së tyre.

Edmond Haxhinasto dhe Nasip Naço nuk i janë bindur sot urdhrit për të bojkotuar Komisionet e Kuvendit. Ndonëse deputetët e tjerë të LSI-së në Komisionet e Ekonomisë dhe të Ligjeve janë larguar nga salla së bashku me kolegët demokratë, dy ish-ministrat kanë qëndruar duke vijuar diskutimet me kolegët e mazhorancës.

Kryemadhi nuk po përballet me të tilla “revolta” vetëm në Kuvend, por edhe në shumë bashki të vendit. Me dhjetëra anëtarë të LSI-së në këshillat bashkiak kanë braktisur tashmë këtë forcë politike dhe i janë bashkuar Partisë Socialiste.

Pak ditë më parë ishte kryebashkiakja e Gjirokastrës, Zamira Rami, e cila ndonëse është pjesë e LSI-së, iu bashkua takimit të ‘llogaridhënies’ që kryeministri Edi Rama zhvilloi në qytetin e saj.

Të gjitha këto lëvizje krijojnë dyshimet se Monika Kryemadhi po përballet me një kryengritje brenda partisë që ka më pak se një vit që e drejton.

*Edmond Haxhinasto thyen bojkotin, qëndron në Komisionin e Ekonomisë

*Nasip Naço thyen bojkotin, qëndron në Komisionin e Ligjeve

*Kryebashkiakja e Gjirokastrës, Zamira Rami i bashkohet 'llogaridhënies' së Qeverisë

Të fundit