Flash News

KRYESORE

Adia Sakiqi dhe ‘armiku i jashtëm’ holandez

Adia Sakiqi dhe ‘armiku i jashtëm’ holandez

Alfred Lela

Adia Sakiqi nuk është habi. Ajo është zgjatimi i një errësire ekselente të grave të Edi Ramës në administratën dhe punët e shtetit shqiptar. Intervista në studion e lajmeve të Top Channel ishte dëshmi e dy gjendjeve: pamundësisë për pyetje dhe paaftësisë për përgjigje. E para nuk na intereson ngaqë shpesh prekemi edhe vetë prej anësisë gazetareske, por e dyta na e bën me sy joshes.

Si të ishte një 'vajzë e lirë' vitrinave te Red Light District në Amsterdam.                                                          

Adia Sakiqi nxitoi. Për të na thënë se ajo është një punëtore partie më shumë se përfaqësuese e shtetit shqiptar. Turravrapi për të demistifikuar Holandën dhe relativizuar procedure, bërtet për amatorizëm në anën e saj.                       

Kush është kjo zonjë?

Nuk na intereson jashtë sferës së idesë se ajo përfaqëson ne (shoqërinë) dhe shtetin, dhe jo Ramën dhe partinë. Duke mos bërë të parën, por 'përkryer' të dytën, Sakiqi nuk është më shumë se një sakicë në vend të një të përfaqësueseje fuqiplotë të Republikës. Rrjedhimisht, çka ajo sheh si fuqi të saj është pafuqi e Shqipërisë.                         

Shqipërisë, e cila nuk e ka luftën me gazetarët e vendit apo të huaj; me vendet e tjera apo politikat e tyre. Shqipëria e ka kokën të zhytur në pellgun e imazhit të vet të përbotshëm. Të cilin nuk e ka të favorshëm. Jo rrallë, shqiptari bie pre e vështrimeve paragjykuese, të regjura., medemek, në ‘kolonializma’ dhe ‘imperializma’ (dhe izma të tjerë majtistë), megjithatë dalja nuk e merr kthesën si kreshpërim nacionalist. Marrë hua nga repertori i Kryeministrit, qëndrimi i zonjës Sakiqi ngjante aq shumë me përfaqësuesit e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.  Kreshpërimi enverist e pamë sa larg na çoi!

Prostitucioni dhe droga e legalizuar nuk janë probleme të një shoqërie kalviniste si Holanda, i thoni zonjës Sakiqi. Kur ato i përbuzni si ‘shfaqje të huaja’ të të tjetëve, ndërkohë që i keni kthyer në industri shtetërore për vetë, kjo dëshmon se oksidentalizmën e keni varak mbi kallajin enverist.                                                               

Përfaqësuesit e një vendi kërkojnë llogari para publikut, japin llogari. Kështuqë, na e kurseni, gjestikulacionin nevrastenik i cili na turpëron të gjithëve bashkë në sy të vetes dhe të Europës.

 

Të fundit