Afgani zbulon trafikun e refugjatëve që kryhet nga Policia Shqiptare: Na kërkuan 10 mijë euro; në rajon më dhunuan

Deri sot jemi mësuar të dëgjojmë raste të shqiptarëve që dhunohen në rajonet e policive të vendeve fqinje apo atyre të Bashkimit Europian, por kriza e refugjatëve në Ballkan i ka kthyer rajonet e Shqipërisë në qendra ku dhunohen refugjatë dhe ku korrupsioni është i nivelit të lartë. 

‘Slate Magazine’ ka publikuar historinë e një refugjati afgan, i quajtur Khalid Mohmand, i cili prej muajsh është përpjekur të kalojë nga Greqia për në vendet e Europës Perëndimore. Së bashku me gruan shtatzënë dhe djalin e tij të mitur, Mohmand ka provuar të kalojë edhe nga Shqipëria për në Serbi.

Kontaktin e parë me tokën dhe policët shqiptarë, Mohmand e kujton kështu: “Policët, gjithashtu, janë të përfshirë. Policët na kërkuan t’u jepnim 10 mijë euro dhe do të na dërgonin në Mal të Zi. Policia, policia shqiptare na kërkoi 10 mijë euro”, ka përsëritur refugjati duke theksuar se ai nuk i kishte aq para sa iu kërkua.

Pasi nuk kishin para t’u jepnin policëve, Mohmand së bashku me familjen e tij dhe 30 refugjatë të tjerë, u detyruan të firmosnin një dokument në shqip, kur pranonin rikthimin në Greqi. Atyre u konfiskuan telefonat dhe kartat e celularëve u thyen nga policët shqiptarë.

Sapo u rikthye në kampin grek, Khalid Mohmand kontaktoi sërish me trafikantët shqiptarë, të cilët e përgatitën për t’u nisur të nesërmen sërish drejt Shqipërisë.

Pas 10 orë ecje në temperatura -3 gradë celsius, refugjatët kaluan në tokën shqiptare, por fati e deshte që ata të binin përsëri në duart e policisë shqiptare.

Duke qenë se Mohmand fliste shumë mirë anglisht, ai u nda nga pjesa tjetër e grupit pasi dyshohej se ishte një nga trafikantët, ndonëse dy shqiptarët përgjegjës ishin arrestuar. Në rajon, tregon refugjati afgan, policët e kanë dhunuar disa herë, për ta dërguar më pas në kampin e Babrrusë, në periferi të Tiranës.

Khalid Mohmand kishte arritur të arratisej nga kampi dhe pasi ka kaluar në territorin e Kosovës, ka mbërritur në kufirin serb. Ai jetoi në Serbi për disa muaj dhe pas disa tentativash të dështuara për të arritur në Zvicër, vendosi të rikthehej sërish në Greqi.

“Jetesa në Serbi është shumë e kufizuar. Serbët po largohen nga vendi i tyre, si mund të jetojë një refugjat atje? As nuk mund ta krahasoj Greqinë me Serbinë. Nëse i krahasoj, Greqia është parajasa dhe Serbia ferri”, ka rrëfyer Mohmand.