Flash News

KRYESORE

Agim Hushi i Ramës dhe agimhushët e Bashës

Agim Hushi i Ramës dhe agimhushët e Bashës

Alfred Lela

Megjithë pretendimet e tij për shkëlqim planetar, Agim Hushi nuk është Faik Konica. Kështuqë, përpjekja e tij për një 'Shqipëri të kam dhjerë 2', një zemërim aksiomatik i aristokratit të famshëm shqiptar, nuk do të mbetet në histori.

Kronikën e ditës, me thënë të drejtën, e ka mbushur plot. Si një fëmijë i papërmbajtur dhe në zor fiziologjik tek mbush brekët kur nuk e mban dot më.

Por, kronika është një gjë, dhe media duhet të shohë te ngjarjet edhe fenomenin, ose tendencën e tyre për t'u bërë, kthyer apo shpjeguar një dukuri.

Agim Hushi, fatkeqësisht për të, u bë fenomen, jo aq me artin se sa me përpjekjen e tij shushunjëzore për t'u ngjitur në qiellin politik të Shqipërisë. Janë përpjekje të hershme, që datojnë që në vitin 2005, kur në Kavajë, qytetin e tij të origjinës, u vu në garë në listën e Partisë Socialiste, përballë Sali Berishës.

Krahun e ruajti dhe vite më vonë u rishfaq në garën për drejtor i Teatrit të Operas dhe Baletit ku humbi përballë Ilir Kernit. Gjatë kësaj kohe mbështetja për Edi Ramën nuk mungonte. Pas zhgënjimit të mosfitores së kreut të TOB dhe pas një konflikti me ministren Kumbaro të cilën e quajti edhe 'njerka e Kulturës', ai ndërroi lojë dhe u pa në 'Çadrën e Lirisë' në krah të liderit të opozitës Lulzim Basha.

Nuk dihet a e dërgoi aty zemërimi me Ramën apo besimi te kauza e opozitës.

Cilidoqoftë motivi, Agim Hushi lëshoi mbi Shqipërinë një përshëndetje koniciane, pa rëndesën e beut të Konicës, dhe shpalli Australinë atdhe të dorës së parë.

Shumë janë marrë me tehun patriotik të deklaratës dhe e kanë bërë tërbjet këtë pathos të vjetër të Facebook-ut të ri, por nuk është ky fenomeni.

Agim Hushi është dëshmi e dështimit tonë si shoqëri, e dalë nga izolimi i gjatë komunist, edhe për atë që Gustav le Bon e quan 'veti e racave të larta', karakteri. I cili shenjohet te këmbëngulja, vullneti dhe te besimi te një ideal.

Fakti që z. Hushi pati vullnetin dhe këmbënguli gjatë për një karrierë politike, duke e kërkuar atë në vende të ndryshme, dëshmon mungesën e asaj kompozite për të cilën flet le Bon. Thënë këtë, ai nuk është shqiptari i vetëm i këtillë, por tipologjia e shqiptarit.

Më thjeshtë: ngapak si të gjithë shqiptarët është ai.

Kështuqë, kur e sulojmë nga pozitat patritotike jemi duke sulmuar 'njërin prej nesh', si gjendje karakteriale të shqiptarit.

Agim Hushi i Ramës është një prej agimhushëve të Bashës. E kam fjalë për atë zhganin e gjatë që përshtillet te rrethrrotullimi i zemërimit me kryetarin e opozitës, hushër të gjendur jashtë agimit të  listës së kandidatëve për deputetë të PD (ose jashtë vendeve të sigurta).

Sigurisht, jo të gjitha zemëratat ngjanë, ashtu siç nuk ngjanë as të gjithë ata që u lanë jashtë. Por, ajo që mbetet është përshtypja se këmbëngulja nuk bëhet për një besim a për një ideal, por për një territor të ngushtë të interesit.

Kjo nuk do të thotë aspak se ata që janë brenda listës janë tempullarë të karakterit të lartë, idelave dhe besimit te interesi publik.

Ndër ta, nëpërmjet sigurisë së njohjes personale, kam shquar dhe shquaj, disa grabitqarë.

Të fundit