Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Politiko.al
Agim Sallakut, ndoshta, nuk i ka shkuar ndërmend gjatë ditëve të punës krahasimi i Spitalit Onkologjik, shefi i të cili ishte deri kur u nda nga jeta më 28 dhjetor, me një thertore.
Një thertore e fatit. Ajo ndërtesë e përzishme si një kthetër përbindëshi mu aty ku mbaron Unaza e vogël dhe fillon çka duket si kujtimi i një qyteti industrial që nuk jeton më. Kjo mungesë ngjyre, a më saktë zgjyrë përsipër gjithçkaje, shërben si ftesë e mbrapshtë mbi të cilën shkruhet 'ti që hyn këtu braktis çdo shpresë!'.
Por, mjeku është gjithmonë fytyra e shpresës. Deri në fund; edhe kur të gjithë e dinë se e vetmja shpresë gjendet te fundi vetë.
Ata që shpëtojnë prej sëmundjes së tmerrshme, strehuar te emri thuajse neutral onkologji, janë pak, aq pak sa edhe vetë njeriu që ka pritur e përcjellë njerëz duke mbjellë te ta shpresën nuk është ndër të paktët e shpëtuar.
Agim Sallaku pas një beteje të pabarabartë, që ai mijra herë e kishte luftuar për të tjerët, u dha.
Ai e njihte sëmundjen e vet sepse e kish dalluar në sytë, trupat dhe gjakun e sa shumë të tjerëve gjatë karrierës, netëve të gjata, kurave dhe konsultave ku bëhen bashkë ekzaktësia e shkencës, që nuk e njeh shpresën, dhe efemeriteti i shpresës që nuk ngrihet mbi shkencën.
Ata që fati i jetës i ka përplasur te Onkologjiku, me siguri e kanë takuar Agim Sallakun. Të tilla takime nuk janë të lehta. Shpirti i të munduarve e di. Por mundimi i tyre ka marrë ngushëllimin e parë te portreti i qetë dhe zëri i butë i Doktorit. Hapat dhe fjalët e tjera janë bërë si ampula shprese.
Të sëmurët bëjnë përditë varka shprese me bluzën e bardhë të mjekut.
Agim Sallaku i njeh varkat e veta.