Flash News
Goro në burg, Blerina Balaj komandohet kryetare e Bashkisë Himarë
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Nën hetim për trafik k*kaine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut
Atentat në Memaliaj, qëllohet me breshëri arme avokati
Alfred Lela
Pak e njoh shkrimtarin Agron Tufa; prej përshëndetjesh rastësore nëpër konferenca apo promovime librash. I kam lexuar disa prej romaneve dhe, ndoshta, të gjitha poezitë. Në sytë e mi shkëlqen më shumë si poet. Pa i harruar publicistikën; të thellë dhe polemiste si të intelektualëve të viteve të Zogut.
Agron Tufën nuk ke nevojë ta njohësh së afri. Nuk ke si e shmang, prej morisë së angazhimeve publike. Të cilat i ka dhe i ka patur të shumta. E gjen në Katedrën e Letërsisë në Universitetin e Tiranës, ma do mendja ndër ata profesorë të Gjuhë-Letërsisë, të plejadës së re të pas '90, që shkon nëpër gjurmët e mëdha dhe nostalgjike të të shkëlqyerve Çabej, Luarasi, Zheji e të tjerë.
Me botimet, konferencat, mësimdhënien, shkrimet në shtypin periodik, praninë në studiot televizive, mund të përfundohet se Tufa është njeri i Kulturës. I kulturës së lartë, duhet thënë, pasi me kulturë pop, të tillë si këngë stine, shkrime skupicash (term i vetë Agronit ky), emisione shou bizi, rrëfenja që kapen me psikanalizë të parë në kanape televizive, na bëjnë aq shumë agresion përditë, sa vetëm libri dhe Netflix-i na shpëton.
Por nuk është gjithë kjo veprimtari e Tufës, këto ravgime kulturore, që e kanë shtyrë atë drejt debatit publik gjatë ditëve të fundit. Një tjetër angazhim, si drejtues i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që merret bash me atë që lajmëron në emër, dhe si pjesë të punës ka patur botimin e librave që hetojnë mynxyrat e regjimit. Një kolanë e admirueshme ka dalë nga puna e këtij Instituti dhe, në ato mijra faqe mund të gjesh, jo vetëm dëshmi golgotiane të vuajtjeve dhe pashpresës së atyre që u përndoqën, burgosën, internuan apo panë njerëz të afërt t'u merreshin para syve për të mos ua parë më sytë kurrë, të pushkatoheshin dhe të mbesnin pa varre.
Nuk është vetëm memuaristika apo dokumenti pjesë e kësaj kolane, por edhe përpjekja për të hulumtuar mbi pasojat. Çfarë stigmate na mbeti nga komunzimi? Si i demonstrojmë plagët e shenjat e tij, shpirtërore dhe mendore, në tranzicion? A është 'njeriu i ri komunist' ende i pa abortuar në ligjërimin publik? E me radhë.
Me këtë angazhim, Agron Tufa, nga njeri i Kulturës bëhet i Anti-Kulturës. Ai bëhet një lloj pegasusi kulturor kundraikës: kërkon të ngrejë mitet e vjetra dhe shemb ca mite më të reja. Do të thotë: ai është reaksionar në raport me tradicionalen e njëmendtë, kërkon ta ngulisë, ta rikthejë dhe ta venerojë, ndërkohë që bëhet progresiv, ngulmon në shembjen e një 'tradite' tjetër, themeluar në Shqipëri nga komunizmi. Mitet e rrejshme të luftës, heroizmat pa dëshmitarë dhe me kronikanë të dyshimtë, 'vetëmohimit' në ndërtimin e socializmit (me forcat tona), intelektualëve parveny që prodhoi komunzimi të cilët, ashtu si deputetët sot (e PPSh së rinovuar) kalonin nga fillorja në fshatin e origjinës te Institutet e larta të kryeqyteteve të Lindjes.
Agron Tufa kërkon ta rrëfejë këtë 'kulturë' për atë çka është: një Anti-Kulturë. Kjo zgjon te pasardhësit e kësaj shemre, te mbrojtësit e saj, te bijtë shpirtërore dhe ideologjikë, një mner të madh që nuk e shëron asnjë vademecum.
Te mujsharitë kundër Agron Tufës duhet të lexojmë një kërcënim ndaj shoqërisë së lirisë, rrugën e së cilës ka marrë Shqipëria që pas rënies së komunizmit. Që prokurorë, sekretarë, oficerë, sigurimsa, kasketa dhe ministra të diktaturës, kanë guximin të linçojnë një shkrimtar të paskomunizmit, të persekutuar në kohën e tyre, dëshmon se rruga e lirisë nuk është përplotësuar, madje është e kërcënuar.