Flash News

KRYESORE

Agron Tufa shpallet “Qytetar Nderi” i Kamzës

Prej dy ditësh, kanë nisur festimet për 23-vjetorin e Bashkisë Kamëz, qytet në të cilin sot jetojnë mbi 150 mijë banorë.

Më 30 prill 1996, me një vendim të Këshillit të Ministrave, Kamza ndryshoi emërtimin nga komunë në bashki. Ky moment shënoi edhe krijimin e Bashkisë Kamëz.

Aktiviteti i sotëm në ditën e themelimit të Bashkisë Kamëz, nisi me festime, valle e këngë të folklorit shqiptar. Në vijim të aktivitetit, kryetari Xhelal Mziu dha edhe disa çmime honorifike për personalitete që i kanë dhënë jetë qytetit ndër vite, ku autori nga Dibra Agron Tufa dhe autori nga Kukësi Shefqet Gjana u shpallën “Qytetarë Nderi”, për kontributin e tyre.

Kush është Agron Tufa

[caption id="attachment_272298" align="alignnone" width="727"] Agron Tufa dhe Xhelal Mziu[/caption]

Agron TUFA u lind në trevën e Kastriotit (Sohodoll, Dibër) më 1967. Është poet, shkrimtar, eseist, përkthyes dhe studiues i letërsisë. Ka studiuar letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës (1991-1994) dhe më pas i thelloi studimet në Institutin e Letërsisë “A.M. Gorki” në Moskë (1994-1999). Kreu studimet pasuniversitare në Institutin për Kultura Europiane (IEK) po në Moskë (1999-2001). Në Shqipëri mbron doktoratën për Teori dhe Filozofi Përkthimi “Mistika e origjinalit”. Doktor i Shkencave filologjike, aktualisht ai është Drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK), pedagog në Universitetin "Hëna e plotë, Bedër" dhe lektor i Letërsisë së Huaj të shekullit XX në Fakultetin Filologjik në Tiranë.

Ka botuar poezi, romane, ese, studime dhe përkthime dhe është nderuar me çmime letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Në 2004 merr çmimin “Penda e Argjendtë” për romanin më të mirë (“Fabula rasa”), ndërsa në 2010 Çmimin Kombëtar të Karrierës për Letërsinë, “Çmimi i Madh”. Në të njëjtin vit fiton çmimin “RexhaiSurroi” për romanin më të mirë të vitit që jepet në Kosovë, me romanin “Tenxherja”. Në nëntor 2016 Agron Tufa u shpall “autori i vitit” nga Panairi Kombëtar i librit, me vëllimin poetik “Kafsha apo fantazma”. Është i përkthyer në disa gjuhë të huaja.

Ndër librat e tij përmendim vëllimet poetike "Aty te portat Skee" (1996), "Rrethinat e Atlantidës" (2002), "Avangardë engjëjsh" (2005), "Fryma mbi ujëra" (2007), "Gjurma në rrjedhë" (2010); "Fragmentet e Gjësë" (2012); “Kafsha apo fantazma” (2016); romanet "Dueli" (1998), "Fabula Rasa" (2005), "Mërkuna e Zezë" (2005), "Tenxherja" (2009), "Gurit të varrit ia rrëfej" (2015) si dhe miniaturat "Thembra e Akcilit" (2009); studimet në vëllimin "Kuja e Mnemozinës" (2011),  esetë me vëllimet “Janusiqinfytyrësh” (2004) dhe "Nga Hiri i të vdekurve" (2014). Ka përkthyer  një mori autorësh nga poezia, proza dhe filologjia ruse e shekullit XX, me klasikë Pushkini, Tjutçjevi, Tolstoi, Çehovi; modrnistë si Zamjatin, Platonov, Nabokov, Mandelshtam, Cvjetajeva, Ahmatova, Pasternak, Majakovski, Esenin, Brodskij, Sjedakova etj. Një tjetër personalitet “QytetarNderi” ishte dhe Shefqet Gjana si një tjetër personalitet me vlera dhe kontribut të veçantë në shoqëri dhe për qytetin e Kamzës.

[caption id="attachment_272299" align="alignnone" width="659"] Shefqet Gjana dhe Xhelal Mziu[/caption]

Ndërkohë, nuk munguan as çmimet për mediat të cilat kanë pasqyruar në mënyrë të paanshme punën e bërë në Bashkinë Kamëz, ku u vlerësuan me certifikatë disa televizione, gazeta print dhe media online.

Gjithashtu, kryetari i Bashkisë, Xhelal Mziu, mbajti një takim me nxënësit më të mirë në sallën e Këshillit Bashkiak Kamëz, ku u vlerësuan për rezultatet e larta.

Në Pallatin e Kulturës Kamzës, në kuadër të festimeve të tjera, performuan grupe të ndryshme valltarësh dhe këngëtarësh nga shoqata kulturore artistike “Benda” Tiranë, SHKA “Burimet e Sharrit” Tetovë, Qendra Kulturore Mallakastër, SHKA “Shote Galica” Drenas, Qendra Kulturore Tiranë.

Historiku i Kamzës

Kamza ka qenë një fushë, e cila në pjesën më të madhe të kohës ishte e përmbytur nga ujërat, si rrjedhojë ka qenë një zonë jo shumë e populluar. Para disa shekujsh, tokat e Kamzës kishin kryeqendër Prezën. Rreth viteve 1250 të erës sonë, ngulimet në zonën e Kamzës ishin rreth brigjeve të lumenjve të Tiranës e Tërkuzës, periudhë kjo në të cilën zotër të këtyre tokave ishin Tanush e KarlTopia. Në vitin 1431 del në dritë emri Kamëz. Dëshmitë e arritura deri në ditët tona pohojnë se në tokat e Kamzës kishte shumë ullinj të egër. Rreth trungut mbinin filiza që thirreshin kamza ulliri. Për këtë arsye tokat midis lumit të Tiranës dhe Tërkuzës u quajtën Kamza. Në vitin 1700 filluan të shtoheshin shtëpitë me fshatarë që zbrisnin nga malësitë.  Pas Çlirimit, Kamza u formua në fillim si një ekonomi shtetërore me karakter kooperativist dhe pas reformës agrare, Kamza u bë një nga ndërmarrjet bujqësore më të mëdha në Shqipëri. Kjo ndërmarrje është njohur me emrin ndërmarrja bujqësore “Ylli i kuq” dhe shërbente si furnizuesja kryesore e kryeqytetit me prodhime të ndryshme bujqësore dhe blegtorale. Kjo periudhë vazhdoi rreth 45 vjet. Pas vendosjes së demokracisë në Shqipëri, edhe Kamza pësoi ndryshime shumë të thella demokratike. Në vitin 1991, në Kamëz vendoset Komiteti i parë Pluralist, ku pushteti vendor drejtohej me balancë politike të të dyja forcave kryesore të atëhershme. Në vitin 1992, për herë të parë, si në gjithë Shqipërinë, u zhvilluan zgjedhjet e para demokratike, si për pushtetin qendror dhe atë lokal. Në atë kohë në Kamëz regjistroheshin vetëm 6000 banorë.

Më 30 prill 1996, me një vendim të Këshillit të Ministrave, Kamza ndryshon emërtimin nga komunë në bashki. Ky moment shënon edhe krijimin e institucionit Bashkia Kamëz.

https://politiko.al/kamza-23-vjet-bashki-cilat-jane-mediat-qe-u-vleresuan-me-certifikate/

Të fundit