Flash News

KRYESORE

Ah, sikur të kishim një Kryeministre si Etilda Gjonaj!

Ah, sikur të kishim një Kryeministre si Etilda Gjonaj!

Gentian Gaba

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka njoftuar sot në një konferencë për mediat shkarkimin e një tufë drejtorësh të Burgjeve për shkelje të rënda, duke dërguar disa prej tyre për ndjekje penale.

Sipas ministres rioshe, nga kontrollet e kryera janë evidentuar shkelje të rënda që rrezikojnë sigurinë e burgjeve dhe paraburgimeve në të gjithë vendin. Madje shtoi se nuk do të tolerohen më abuzime me detyrën.

Nga mediat ky lajm u pagëzua si “furtunë në burgje”, por më shumë duket si një stuhi brenda një gote. Ndoshta, për të bërë një krahasim kinematografik, ngjason me atë renë e personalizuar të komedianit “Fantozzi”, reshjet e së cilës bien vetëm mbi një person; në këtë rast vetëm mbi drejtorë që kanë lidhje ose afiliacione me LSI-në. Deri këtu business as usual.

Ajo që më shumë mund të ngacmonte interesin mbi shkaqet e disa prej largimeve, ishte fakti se një nga akuzat ndaj tanimë ish-drejtuesve të burgjeve ka të bëjë me lejimin e  futjës së lëndëve narkotike në qeli. Një krim i rëndë që fatmirësisht u ndalua, dhe po aq fatmirësisht përgjegjësit do të ndiqen penalisht.

Një lajm i mirë për një vend që është i etur për drejtësi.

Sakaq problemi është se ndryshe nga çfarë ndodh në atë pjesëz të hyqymetit nën drejtimin e znj. Gjonaj, e cila nga çfarë kuptuam sot është në gjendje të ushtrojë më së miri autoritetin dhe pushtetin e vet mbi personat që mbajnë përgjegjësi për detyrën e tyre, dhe mënyrën sesi e kanë kryer atë në këto katër vite; në këtë burg me qiell të hapur që është sot Shqipëria (nga i cili me qindra mijëra kanë si dëshirë dhe objektiv vetëm arratisjen), mungon një Kryeministër me autoritetin dhe aftësinë e Etilda Gjonaj që kupton lidhjet shkak-pasojë, përgjegjësit që burojnë nga ushtrimi i një pozicioni drejtues, dhe mbi të gjitha që di si të ndalojë trafikun e drogës.

Nëse Etilda Gjonaj do të ishte ngarkuar nga shqiptarët me përgjegjësinë për të drejtuar vendin, dhe do të kishte po të njëjtën qasje në administrimin e burgut tonë Kuq e Zi, sigurisht që sot do të kishim një atmosferë politike krejt tjetër.

Siguria e qytetarëve nuk do të kanosej nga paaftësia e atyre që duhet të zbatonin ligjin dhe ndëshkonin krimin. Drejtuesit e institucioneve do të përballeshin me veprimet dhe mosveprimet në kryerjen e funksioneve të tyre.

Sigurisht, me një Kryeministre si Etilda Gjonaj ata që kanë vendosur dorën mbi Kushtetutën tonë dhe janë betuar në mënyrë solemne se do të kryejnë detyrat me ndershmëri dhe paanshmëri, do të shkarkoheshin nëse do të “cënonin besimin e publikut në mirëfunksionimin e institucioneve” (fjalë të thëna sot nga Ministrja).

Sigurisht, nëse Etilda Gjonaj do të ishte gjendur përballë drejtimit të vendit qysh prej 2013, ata që lejuan kultivimin e kanabisit nga Vermoshi në Konispol, dhe trafikimin nga Catania deri në Greenwich, do të dërgoheshin përpara drejtësisë si drejtorë që sot u shkarkuan dhe shumë shpejt do të kthehen në frekuentues të burgjeve që drejtonin.

Sikur Etilda Gjonaj të ishte sot Kryeministre, ndalimi i drejtorëve do të ishte një gjest i zakontë në administrimin e një vendi që sigurisht mbart probleme dhe kontradiksione që nuk mund të zgjidhen vetëm në një mandat, dhe do të meritonte mbështetjen e çdo qytetari.

Ndoshta problemi është se Etilda Gjonaj është ministre në kabinetin e një Kryeministri që dërgon përpara drejtësisë disa drejtorë burgjesh, por nuk ngre as edhe një komision hetimor për të gjetur shkaqet dhe përgjegjësit e kanabizimit të territorit, e jo më të çojë mbrapa hekurave përgjegjësit e këtij krimi kombëtar.

Por, mbi të gjitha, nëse Etilda Gjonaj do të ishte Kryeministre, do t’i kursente vetes rolin e batutaxhiut që shefi i saj mori dje te programi i atij që njihet si gaztori i shqiptarëve. Znj. Gjonaj e di se përkundër gjithçkaje, politika mbetet një gjë serioze, dhe vendi nga ku një Kryeministër serioz jep shpjegime për një çështje serioze është Parlamenti dhe jo kolltuku i  Ardi Daullxhiut.  

 Ah, sikur të kishim një Kryeministre si Etilda Gjonaj…

 

Të fundit