Flash News

OP-ED

“Air Kazani”

“Air Kazani”

Gentian Gaba

Me investimet e huaja në tokë (ranë me 70 milion euro në tremujorin e dytë të këtij vit), dhe borxhin publik në kupë të qiellit, një iniciativë si ajo e “Air Albania” do të ishte padyshim një lajm i mirë për ekonominë tonë. Mirëpo në më pak se një javë nga inaugurimi i saj pompoz, kompanisë fluturake i ranë pendët, për t'i lënë vendin një mori dyshimesh të arsyeshme mbi natyrën e këtij ‘objekti fluturues ende të pa indentifikuar’. Jo vetëm prej faktit se ajo që u prezantua si një "vashë" e bukur, kur merr retë, vesh ferexhenë e "Turkish Airlines". Apo se në barkun e avionit "shqiptar", që për më tepër është pagëzuar me emrin e Lasgush Poradeci, nuk flitet aspak shqip, pasi mbishkrimet janë në gjuhën turke dhe angleze.

"Air Albania", ndahet mes një kompanie shqiptare, Albcontrol me 10% të aksioneve, “Turkish Airlines” me 49%, dhe “MDN investment”, me 41%. Rezervat që çdokujt do t'i lindnin natyrshëm, dhe që kanë shpërthyer edhe me hulumtime serioze të gazetarëve ekonomikë shqiptarë, po adresohen nga zyra e Kryeministrit me mjetin e përhershëm, propagandën. Qysh ditën e prezantimit në aeroportin e Rinasit, Kryeministri kërkoi të guduliste patriotizmin me retorikën e tij: “Air Albania” është një vepër kuqezi, kombëtare, një fryt i arrirë në këtë kohë që për ne është viti i Gjergj Kastriotit."

Fjalë të bukura, por që në thelb mbartin një skizofreni simbolike dhe një guxim të pamatë për të lidhur Skënderbeun, meqë 2017 është pagëzuar si viti i tij, dhe një kompani turke, që është pagëzuar si shqiptare për qëllime piari. Kësaj i thonë "të bësh duanë e kaurit dhe të hash bukën e turkut", do të ketë menduar ambasadori Murat Ahmet Yörük. Skizofrenisë simbolike, i janë shtuar akte komunikimi publik me anë të të cilave kërkohet që vëmendja të mbahet mbi fluturimin e kompanisë, dhe jo me kompaninë në vetvete. Për këtë arsye në udhëtimin e parë drejt vendit të tij të origjinës, avioni u mbush me studentë të ekselencës që fluturuan drejt Stambollit. Sigurisht, të përcjellë nga Rama dhe ministrja e arsimit Nikolla, për të bërë fotot dhe xhirimet e rastit. Udhëtimin e dytë, avioni, gjithmonë ai i pari, që bën para dhe mbrapa midis Tiranës dhe Stambollit, e bëri plot me pensionistë. Këtë radhë ministrja shoqëruese ishte Manastirliu, sigurisht duke kryer fotografitë dhe xhirimet e rastit. Ndërsa udhëtimin e tretë, dhe kjo ishte surpriza e ditës së sotme, avioni do të mbushet me një tjetër grupim, ata me të cilët Kryeministri ka një marrëdhënie odi et amo (dashuri dhe urrjetje, për ta thënë me fjalët e poetit romak Catullo), gazetarët.

Shtatëdhjetë punonjës së shtypit ‘të lirë’ do t'i bashkangjiten stafit të "Air Albania" për të testuar aftësinë fluturuese të Lasgushit, drejt vendit ku ka lindur edhe fjala me të cilën Kryeministri etiketon gazetarët. Sigurisht, një gjetje e goditur, jo vetëm për poteren që gjeneron në media, të reja e të vjetra, për të reklamuar një kompani të re që hidhet në treg; por edhe për të hequr vëmendjen nga ata që kokëfortë vijojnë të kërkojnë përgjigje me pesë W-të të gazetarisë mbi natyrën e "Air Albania", e për ta spostuar te kazani fluturues. I cili nga mjet, kthehet në objekt propagande.

Ndoshta, lart midis reve, midis një selfie dhe një gote plot gaz, ndonjëri prej udhëtarëve do të kujtohet të kryejë ndonjë hulumtim në dobi të interesit publik. Megjithatë, nëse ia hipin Lasgushit, pa asnjë pikpyetje, apo brengë në ndërgjegje, mbi natyrën e kësaj kompanie, nuk do të shkojnë në Stamboll thjesht si turistë, por si turistë të gazetarisë.

Të fundit