Aksidentet rrugore u rritën me 16,4% në nëntor, humbën jetën 20 persona

Numri i aksidenteve rrugore dhe personave që kanë humbur jetën prej tyre është rritur në mënyrë të ndjeshme në muajin nëntor të këtij viti.

Sipas raportimit të sotëm të INSTAT në muajin nëntor 2017 u numëruan 177 aksidente rrugore, nga 152 aksidente të ndodhur në nëntor 2016 me një rritje 16,4 %.

Numri i të aksidentuarve është 235 persona, nga 197 që ishte një vit më parë, për të njëjtën periudhë.

Në 11-mujorin e 2017, numri i të aksidentuarve është ulur 4,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i personave të plagosur gjatë muajit Nëntor 2017 është 215, nga 182 persona të plagosur në Nëntor 2016.

Krahasuar me mesataren e personave të plagosur gjatë vitit 2016, ky numër është rritur me 2,8%. Në nëntor, aksidentet rrugore, në 79,1% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.

Në 11-mujorin e 2017, aksidentet rrugore të cilat kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit zënë 81,3% të rasteve.

Numri më i lartë i aksidenteve është kryer nga grup mosha 25 – 35 vjeç, duke zënë 27,9% të numrit të aksidenteve rrugore dhe duke u ulur me 4,1%, me njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri më i lartë i aksidenteve ka ndodhur në qarkun e Tiranë ku kanë humbur jetën 9 persona.

Këtë muaj kanë qene problematikë Durrësi dhe Fieri kryesisht për jetët e humbura.

Edhe pse qeveria shqiptare i ka forcuar masat ndëshkuese për drejtuesit e mjeteve sërish ata mbeten shkaku kryesor i aksidenteve në vend.

Si pasojë e kësaj situate, Shqipëria edhe pse ka numrin më të ulët të automjeteve për frymë, ka nivelin më të lartë të aksidente për  1 mijë banorë  në rajon.