Flash News

KRYESORE

Aktivitet në Tiranë për vigjiljen e Krishtlindjes

Aktivitet në Tiranë për vigjiljen e Krishtlindjes

Tirana kremtoi mbrëmjen e sotme vigjiljen e Krishtlindjes. Me qindra qytetarë ishin të pranishëm në sheshin “Skënderbej”, për të parë interpretimin e këngëtarëve Kastriot Tusha, Vikena Kamenica dhe orkestrës fizarmonike të Universitetit të Arteve “Ibrahim Madhi”, nën dirigjimin e Gridi Krajas.

Për publikun u interpretuan veprat më të bukura të muzikës shqiptare dhe botërore klasike. Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj përshëndeti qytetarët e ndërsa uroi festën shtoi se Tirana i është rikthyer normalitetit pas tërmetit.

“Kishim shumë nevojë që qyteti të kthehej në normalitet, që të kuptojmë se ka ardhur koha që edhe të gëzojmë. Kishte një moment hidhërimi, vështirësie, sfide, por ka edhe një moment për të ngritur kokën, për t’u përqafuar, për t’i kujtuar njëri-tjetrit që jeta vazhdon edhe me më shumë forcë, pasion dhe energji pozitive.

Tirana ka vend për të gjithë. Ka vend për njerëz që kanë ngjyra të ndryshme të lëkurës, bindje të ndryshme politike, fe të ndryshme, pasione të ndryshme dhe punë të ndryshme. Tirana mbush 100 vjet vitin tjetër, në 2020. Është shekulli ynë i parë, për moshën e qyteteve është vetëm fillimi. Ndaj mezi pres që të gjithë bashkë me këtë energji pozitive të hyjmë në shekullin e dytë të Tiranës si kryeqytet, jo vetëm si qyteti më i mirë në Shqipëri, po edhe ndoshta si një nga qytetet më të mira në rajon. Jam i bindur se bashkë, si një familje e madhe, njerëzit që keni në krahë, majtas, djathtas, para, mbrapa, nuk janë të panjohur, janë pjesë e asaj që quhet familja e madhe e Tiranës tonë”, tha Veliaj.

Të fundit