Akuza e Tahirit për radarët, Kodheli merr me radhë televizionet: I kam kryer detyrat e mia kushtetuese

Ish-ministrja e Mbrotjes, Mimi Kodheli është shfaqur ne televizion pas një mungese të gjatë. Dalja e saj dje ne News 24 dhe sot ne Top Channel, vjen pas një dokumenti që paraqiti ish-ministri Saimir Tahhiri që e vinte në dijeni se radarët nuk funksiononin.

Mimi Kodheli shprehet për Top Channel se shkresa e Tahirit daton që në tetor të 2013, kur qeveria Rama sapo kishte marrë detyrën, ndërkohë që ishte çështje e ditur mos funksionimi i radarëve dhe është ndërhyrë menjëherë.

“Korrespondenca daton tetor 2013, pra është vetëm një muaj pasi ne kishim ardhur në qeverisje. Radarët i kemi gjetur zero dhe i kemi bërë të bëjnë 100% punë, radarët nuk mund të fiken se nuk janë çelësi i dritave në shtëpi, dhe ka një strukturë që quhet QNOD, një strukturë që drejtohet nga Këshilli Ministrave, nga kryeministri në mënyrë të veçantë”, shprehet Mimi Kodheli.

Kodheli shton se radarët janë rivënë në pune dhe se detyrë kryesore kanë patur mbrojtjen e kufijve shtetërore të Shqipërisë. “Kanë dalë para në mënyrë emergjente të cilët kanë mundësuar rifillimin, rivënien në punë që nga dhjetori i atij viti, i sistemit të radarëve të cilët janë në funksion të mbrojtjes së kufijve të Shqipërisë nuk janë në funksion, kush gomone del nga ndonjë qoshe e bregdetit dhe kush gomone hyri, janë të tjerë njerëz ata që janë përgjegjës, policia ka radarët e vet nuk ka pse ngatërrohet me radarët e ushtrisë”, shton Kodheli.

Duke iu rikthyer dhe njëherë korrespodencës mes dy ish ministrave, ajo sqaron se detyrat kushtetuese i ka kryer shumë mirë. “Juve flisni me ish Ministren e Mbrojtjes, nuk flisni me shefen e arkivave, nuk jam këtu nëse i kam kthyer përgjigje, jam këtu për të thënë që detyrat kushtetuese i kam kryer mirë, madje shumë mire”, përfundon Kodheli.

Tahiri u shpreh para “Krimeve të Rënda” se prokuroria nuk ka prova që radarët janë fikur prej tij, duke ia kaluar kështu përgjegjësinë ish-koleges, Kodheli.

“Prokuroria kishte dy vjet kohë të vërtetonte nëse, në kuadër të cilës do veprimtari kriminale, këto radarë mund të fiken, unë e di që jo dhe unë kam prova që jo dhe i thashë në seancë, Prokuroria le të vijë, jo nuk është kështu këta radarë janë fikur, unë e them jo dhe jo. Nuk ka ndodhur kurrë dhe nuk mund të ndodhi teknikisht që të fiken radarët sepse siguria kombëtare në Republikën e Shqipërisë nuk ishte lënë në dorë me një çels një operatori, cilido qoftë ky në cilën do institucion, me çfarë do detyre lart apo poshtë”, shprehet Tahiri.