Akuza jo të zakonta/ Një çift në ShBA arrestohen pasi vodhën sekrete shkencore në spitalin pediatrik

Një çift kinezo-amerikan janë arrestuar dhe përballur me akuza jo të zakonta. Ata akuzohen se kanë vjedhur sekrete shkencore nga një spital pediatrik në Ohajo.

Sipas autoriteteve amerikane,  çifti Yu Zhou, 49-vjeç dhe bashkëshortja e tij 46-vjeçare Li Chen, punonin në laboratorë të ndryshëm në Spitalin Pediatrik të qytetit Kolambus të Ohajos për 10 vjet, duke vjedhur rezultate të kërkimeve shkencore të mbrojtura me patentë shpikjeje, të tranferuara për përfitim personal.

‘Sekretet shkencore për të cilat akuzohet çifti me vjedhje/transferim, luajnë një rol kyç në diagnostikimin dhe mjekimin e një numër problemesh shëndetësore te fëmijët, që nga kanceri i mëlçisë si dhe një anomali tek foshnjat e lindura premature, siç thuhet në aktpadinë federale’-shkruan Zëri i Amerikës.

Dokumenti i akuzës shpjegon se çifti krijoi një kompani në Kinë në 2015 pa dijeninë apo autorizimin e spitalit, për të tregtuar produkte që lidheshin me këtë teknikë mjekësore. Dy vjet më pas, Zhou ishte i përfshirë në themelimin e një kompanie bioteknologjike amerikane, përmes së cilës reklamonin produkte, përfshirë një mini-laborator për përdorim personal, i cili përfshinte avancime shkencore të mbrojtura me patentë, të zhvilluara në laboratorin kërkimor të spitalit. Pak para se të dorëhiqej nga spitali në 2017, Zhou njoftoi në një konferencë për shtyp se kompania e tij e re do të shiste “sisteme mjekësore të mbrojtura me patentë” nga zyrat e saj në qendër të Ohajos.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, spitali thotë “Kur zbuluam këtë incident, njoftuam FBI-në dhe kemi bashkëpunuar me ta në mënyrë aktive”.

Çifti u arrestua në korrik. Aktpadia u bë publike të enjten kur ata dolën para gjykatës federale ku iu lexuan zyrtarisht akuzat, të cilat ndëshkohen me 10-20 vjet burg.

Avokatët e çiftit nuk i janë përgjigjur ende një emaili të Zërit të Amerikës për të komentuar për çështjen.