Akuzat/ Kajmaku dorëzon shenjat e gishtave, pritet letërporosia nga Greqia

Pas kërkesës së Partisë Demokratike për verifikimin e figurës së kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, ky i fundit ka depozituar gjurmët e gishtave në Policinë Shkencore.  Gjurmët, të marra nën administrim nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Njësia e Dekriminalizimit, do të krahasohen me gjurmët që pritet të mbërrijnë nga Greqia, ku është dërguar më herët një letërporosi.

PD e ka akuzuar prej kohësh Kajmakun se është arrestuar për falsifikim parash në Greqi dhe më pas është arratisur drejt Shqipërisë, duke e lenë çështjen të hapur.

Nga ana e tik, kryebashkiaku i Vorës i ka mohuar këto akuza, ndërsa PD kërkon largimin e tij pasi ka shkelur ligjin e dekriminalizimit, duke fshehur në formular  arrestimin.

Me 26 gusht PD publikoi dokumentin që vërteton se Agim Kajmaku, kreu i bashkisë së Vorës, i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit është dënuar më parë në shtetin grek.

Sipas dokumentit zyrtar, rezulton se Agim Kajmaku është arrestuar në flagrancë në shtetin grek, në zonën e Janinës, më datë 14.01.2003 për veprën penale “Përdorim dhe shpërndarje kartëmonedhash të falsifikuara”.

Referuar prokurorisë greke, Kajmaku duhet të dënohej me jo më pak se 10 vjet burgim, ndërkohë, vetë kryebashkiaku i PS ka mohuar të ketë qenë i dënuar më parë.