Akuzat për krime lufte, presidenti Thaçi të hënën udhëton drejt Hagës

Hashim Thaçi, president i Kosoves

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi njofton se është thirrur për t’u intervistuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në një postim në Facebook, ai njofton se të hënën do të niset drejt Hagës. Ndër të tjera presidenti thekson se ai dhe bashkëluftëtarët do të përballen me dinjitet me drejtësinë ndërkombëtare, ndërkohë fton qytetarët të jenë të bashkuar për të përballuar sfidat e Kosovës.

Njoftimi nga Hashim Thaçi

Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës,

Në këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore.

Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.

Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi.

Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ju faleminderit për përkrahjen tuaj!

Zoti e bekoftë Kosovën! HTH

Kujtojmë se aktakuzat ishin ngritur rreth 2 muaj më parë, por u publikuan vetëm disa ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë, ku Thaçi do të ishte bashkë me Hotin të rifilluar dialogun me palën serbe, nën ndërmjetësimin e Grenell të SHBA.