Alibeaj: Rama nuk jep asnjë garanci se do luftojë krimin, imediate krijimi i një qeverie antimafia

Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas arrestimit të nënkomisarit të policisë Fier pasi dyshohet si i përfshirë në trafikun e 2.5 tonë dorgë nga Shqipëria në Itali. Alibeaj tha se hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kanë risjellë edhe një herë në vëmendje problemin e rëndë të kriminalizimit të Policisë së Shtetit, ku, sipas tij, nuk ka ndonjë ndryshim, nëse është Saimir Tahiri apo Fatmir Xhafaj Ministër i  Brendshëm.

“Partia Demokratike e ka denoncuar prej 4 vjetësh kriminalizimin  e policisë si projektin e Edi Ramës në shërbim të pushtetit të tij. Kjo qeveri nuk jep asnje garanci se krimi, trafiku i narkotikeve dhe korrupsioni qeveritar të mund të luftohet. Kjo nuk ka si te ndodhe dhe as të shpresohet që të ndodhë, sepse vetë Edi Rama është ideatori, arkitekti dhe ekzekutuesi i kësaj politike makabre për të kriminalizuar policinë dhe rrënuar shtetin”, tha Alibeaj.

Deputeti i PD-së theksoi se më shumë se kurrë është nevojë imediate, krijimi i një qeverie antimafia duke filluar më së pari nga largimi një orë e më parë i Edi Ramës.​

“Sot, është e qartë për këdo, se ky potencial i madh kriminal nuk mund të luftohet nga Edi Rama. Sot më shumë se kurrë është nevojë imediate, krijimi i një qeverie antimafia, e pakapur nga krimi, korrupsioni dhe droga, dhe vullnetplotë për ta luftuar atë. Duke filluar më së pari nga largimi një orë e më parë i Edi Ramës”, u shpreh Alibeaj.